Zhdukja e 3 të rinjve/ Vilson Çutaj sa doli nga burgu për 63 kg drogë
Ende s’ka gjurmë të tre të rinjëve të shpallur të humbur në Malësinë e Madhe, saktësisht Vilson Çutaj, Klement Pepaj dhe Daniel Pepaj. Forcat e shumta policore si dhe banorët po vijojnë kërkimet. Kushtet atmosferike të orëve të fundit kanë vështirësuar punën për shkak edhe të terrenit të vështirë.
Vilson Çutaj kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu i Reçit në Shkodër, pasi ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për akuzën e “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Sipas dosjes hetimore, rezulton se Çutaj është arrestuar fillimisht në datën 15 maj 2017, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij, policia ka gjetur 5 thasë plastikë, ngjyrë e zezë, ku në brendësi të tyre është sekuestruar material bimor, në gjendje të tharë me ngjyrë jeshile dhe boçe, me aromë dhe karakteristika si ajo e kanabisit.
Çutaj kishte vetëm pak muaj që ishte liruar nga burgu i Reçit dhe tashmë është bërë protagonist i një ngjarje akoma dhe më të rëndë. Sot e kësaj dite, nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodhet Vilson Çutaj. Të dhënat policore tregojnë se ai mund të jetë ekzekutuar nga i njohuri i tyre Danjel Pepaj, të cilin një ditë para ngjarjes në 1 tetor 2020, e kana dhunuar fizikisht së bashku me Klemend Pepaj. Dyshohet se ky konflikt ka lindur për shkak të vjedhjes së një sasie droge por është e paqartë se ku ndodhen trupat e pajetë dhe vetë autori i këtij krimi të rëndë. I dënuar për prodhim dhe shitje droge, është dhe babai i Vilson Çutaj, Pal Çutaj.
Rrok Pepaj, babai i Daniel Pepajt, në një deklaratë për ”FaxNews”, thotë se dy të rinjtë e tjerë, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, i’a kanë marrë të birin, e kanë rrahur dhe e kanë futur në një bagazh makine. ”Më datën 3 tetor, djalin tim e kanë dhunuar Klementi dhe Vilsoni me të vëllanë dhe me një grup tjetër. Ngjarja që e kanë rrahur djalin ka ndodhur në Bajzë, e kanë futur në bagazhin e makinës, dhe kur kanë shkuar në mal nuk jam më në dijeni se çfarë ka ndodhur. Mendoj se kjo ka ndodhur për parcelat e drogës, ne nuk ia kemi ditur këtë gjë. Nuk e di që të kenë pasur ndonjë debat tjetër, në asnjë mënyrë nuk do ia pranoja djalit këtë. Tani e mësova që është marrë me këtë punë dhe që e kanë hetuar për këtë punë (të mbjellat me kanabis). Unë nuk kam dijeni se e ka bërë djali im këtë por mund ta ketë bërë në nerva e sipër nëse e kanë rrahur. Unë e dija se djali prej dy javësh ishte në punë në Malin e Zi. Ne djemtë nuk na kanë pyetur për asgjë, nëse djali im e ka bërë këtë punë, të shkojë dhe të dorëzohet në Polici. Mua më ka ardhur Policia natën dhe iu kam thënë për të gjitha siç po ua them juve këtu, unë uroj që të gjithë të jenë gjallë”,-u shpreh Rrok Pepaj.