Zhdukja e tre të rinjve për parcelat e hashashit, prindërit: Na i kanë vranë

Kanë kaluar më shumë se 72 orë dhe ende s’ka gjurmë të tre të rinjëve të shpallur të humbur në Malësinë e Madhe, saktësisht Vilson Çutaj, Klement Pepaj dhe Daniel Pepaj. Forcat e shumta policore si dhe banorët po vijojnë kërkimet. Kushtet atmosferike të orëve të fundit kanë vështirësuar punën për shkak edhe të terrenit të vështirë. Nga të dhënat që janë mbledhur deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar e provuar se një ditë para ngjarjes, pra më 2 tetor, Klemend Pepaj dhe Vilson Çutaj kanë dhunuar fizikisht Danjel Pepaj edhe pse janë kushërinjë. Nuk dihet me saktësi se cili ka qënë motivi i këtij sherri por në rrugë operative, policia ka mbledhur të dhëna për pistën se diçka ka ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.

Akoma më e paqartë është vendndodhja e trupave të pajetë të Klemend Pepaj dhe Vilson Çutaj, nëse ata do jenë ekzekutuar vërtet nga miku i tyre Danjel Pepaj. Gjatë këtyre ditëve, policia ka kontrolluar me imtësi të gjithë zonën, ku jo vetëm nuk ka gjetur asnjë shenjë të dy personave të mësipërm por nuk ka mundur të gjejë në zonë qoftë dhe një parcelë hashashi, nga ku mund të dyshohet bindshëm se ngjarja lidhet ngushtësisht me prishjen e pazareve të drogës. Deri në këtë fazë të hetimit, kjo çështje vijon të mbetet e mistershme. Në polici janë marrë në pyetje shumë persona, mes tyre dhe familjarët e tre të rinjve të zhdukur, të cilët kanë deklaruar të dhëna kontradiktore, për këtë çështje.

Rrok Pepaj, babai i Daniel Pepajt, në një deklaratë për ”FaxNews”, thotë se dy të rinjtë e tjerë, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj, i’a kanë marrë të birin, e kanë rrahur dhe e kanë futur në një bagazh makine. ”Më datën 3 tetor, djalin tim e kanë dhunuar Klementi dhe Vilsoni me të vëllanë dhe me një grup tjetër. Ngjarja që e kanë rrahur djalin ka ndodhur në Bajzë, e kanë futur në bagazhin e makinës, dhe kur kanë shkuar në mal nuk jam më në dijeni se çfarë ka ndodhur. Mendoj se kjo ka ndodhur për parcelat e drogës, ne nuk ia kemi ditur këtë gjë. Nuk e di që të kenë pasur ndonjë debat tjetër, në asnjë mënyrë nuk do ia pranoja djalit këtë. Tani e mësova që është marrë me këtë punë, dhe që e kanë hetuar për këtë punë (të mbjellat me kanabis). Unë nuk kam dijeni se e ka bërë djali im këtë por mund ta ketë bërë në nerva e sipër nëse e kanë rrahur. Unë e dija se djali prej dy javësh ishte në punë në Malin e Zi. Ne djemtë nuk na kanë pyetur për asgjë, nëse djali im e ka bërë këtë punë, të shkojë dhe të dorëzohet në Polici. Mua më ka ardhur Policia natën dhe iu kam thënë për të gjitha siç po ua them juve këtu, unë uroj që të gjithë të jenë gjallë”,-u shpreh Rrok Pepaj. I biri i tij është parë në Shkodër duke lëvizur me një automjet të shtunën në mbrëmje, ndërsa më pas mund të jetë larguar drejt Malit të Zi.

Kurse babai i Klement Pepaj është shprehur për mediat se djali i tij nuk ka pasur asnjë konflikt në dijeninë e prindërve. Ai dyshon se i biri është vrarë nga Danieli, kjo pasi banorë të zonës e kanë parë këtë të fundit të qarkullonte me automatik. Sipas prindërve, Klementi kishte një vit që ishte kthyer nga Zvicra pasi ishte ekstraduar prej andej dhe aktualisht punonte në një kioskë. “Një ditë përpara se të raportohej i zhdukur, Klementi kishte dalë me Vilsonin për kafe por nuk ishin kthyer më. Djalin ma kanë ekzekutuar, ai zihej me kushëririn sepse i ngacmonte vajzat në lokal, ndërsa lekë me bollëk s’kam parë por as xhepat s’ia kam kontrolluar”,- ka thënë ai.

SHKARKO APP