Zhupa denoncon projektin e parkut Rinia: 6 mijë m2 sipërfaqe e gjelbërt u mbush me beton
Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka akuzuar bashkinë e Tiranës se me supertenderin 1 miliardë lekësh ka betonizuar 6 mijë m2 sipërfaqe të gjelbërt.
Për projektin e rehabilitimit të parkut Rinia kompania Agikons ka marrë një fond prej rreth 1 miliardë lekësh me tvsh.
Por ndryshe nga sa deklaron kryebashkiaku i Tiranës, me ndërhyrjen e bërë vihet re një shtim i sipërfaqeve të betonizuara.
Denoncimi vjen prej zëdhënëses së PD, Ina Zhupa e cila thekson se veprimi është në kundërshtim me planin urbanistik
“Kryebetonieri Veliaj shpërdoroi 1 miliard lek për të prishur gjelbërimin e një parku për fëmijë edhe të rritur, një mjedis relaksues, lojrash në natyrë edhe i gjelbër për ta bërë atë gjoja si kënd lojrash në kundërshtim edhe me ligjin dhe kriteret e Planit Urbanistik të Tiranes! Referuar dokumentit të Strategjisë Territoriale të zhvillimit për Bashkinë Tiranë është konsideruar Parku Rinia si hapësirë të rëndësishme ambientale ekologjike.”
Zhupa përmes një postimi në facabook ka bërë një verifikim të pamjes se si ishte parku para zhvillimit të tenderit me superfondin dhe pas ndërhyrjes, nga ku rezulton se fushës së gjelbërt i janë hequr rreth 6 mijë m2, të cilat tashmë janë betonizuar
“Është e dukshme që Bashkia Tiranë përpiqet ta propagandojë si një projekt modern por në të vërtetë nuk është asgjë tjetër veçse afera e rradhës me klientin e ngushtë Agikons shpk dhe betonizimi i të fundit hapësirë të gjelbër pranë qendrës së Tiranës duke i hequr Parkut një hapësire të gjelbërt rreth 6000 m2!”
Zhupa thekson se është pro çdo këndi lojrash por kundër shpërdorimit të parasë publike.