Zhvatën 200 mijë euro duke mashtruar me vende pune, çifti fierak bënte jetë luksi
Personat që shikoni në fotografi janë bashkëshortët Fisnik Kajolli 32 vjeç dhe bashkëshortja e tij Migena Kajolli 27 vjeçe, nga fshati Dërmenas i Fierit.
Ata u arrestuan këtë të hënë nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, ku qytetarëve të ndryshëm duke u premtuar vende pune në kompani private kanë arritur që t’iu marrin në total 200 mijë euro.
Mësohet se zhvatja e bashkëshortëve ka nisur në vitin 2016, kur ata u premtonin qytetarëve të ndryshëm se do u siguronin kontrata pune në kompani të fuqishme të zonës, kryesisht në sektorin e hidrokarbureve.
Në këmbim u merrnin shuma parash që varionin nga 1-3 mijë euro.
Nga hetimet e policisë rezulton se ideatorja e mashtrimit ka qenë Migena Kajolli, e cila pasi u merrte shumën e parave u thoshte se kompania do u dërgonte një mesazh konfirmimi në telefon.
Në të vërtetë mesazhet i dërgonte Migena, e cila gjithashtu kishte ideuar edhe firmosjen e një akti noterial për paratë si shumë borxhi.
Burime nga policia e Fierit konfirmuan për Noa.al, se dy bashkëshortët kanë arritur të bindin nëpërmjet mashtrimit motër e vëlla, se do i bënin aksioner në një prej kompanive më të mëdha të naftës.
Kështu ata u kanë marrë F.H., dhe N.H., 35 mijë euro dhe rreth 90 milionë lekë të vjetra, duke nënshkruar akte noteriale.
Gjithashtu rezultoi se ata kishin mashtruar një numër të konsiderueshëm personash, ku denoncimet e shumta të policisë, çuan në arrestimin e bashkëshortëve Kajolli.
Është konstatuar se bashkëshortët Kajolli bënin jetë pasanikësh dhe se drekonin dhe darkonin në restorante. Po ashtu ata shpenzonin shuma të konsiderueshme parash edhe për sende me vlerë, automjete dhe bizhuteri.
Në ngarkim të tyre materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Mashtrimi i kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda”.
KOHA JONË SONDAZH

