Zhvillimi i tregjeve të kapitalit, Pr.Ligji në Kuvend/ Mundësi financimi dhe transparencë në investime
Projektligji i hartuar nga Ministria e Financave për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, është finalizuar pas thuajse një viti dhe depozituar në komisionet parlamentare për t’i hapur më tej rrugë miratimit të tij.
Sipas relacionit të projektligjit, qëllimi i është krijmi një kuadri tërësor rregullator e mbikëqyrës të tregjeve të kapitalit. Drafti synon rritjen e potencialit për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, pasi rritet mundësia që emetuesit të gjejnë kapital dhe të financojnë ekonominë, rriten mundësitë për investitorët për fitime më të mira, për ndërmjetësit si dhe rritet rentabiliteti i infrastrukturës së tregjeve të kapitalit. Iniciativa për projektligjin e ri ndërmerret me qëllim që të nxiten e të zhvillohen tregjet e kapitalit, si edhe për një mbrojtje më të mirë të investitorëve.
Ky draft është hartuar edhe në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Dhe objektivi është që të krijojë mundësi financimi, të mundësojë emetimin e letrave me vlerë; të kanalizohen kursimet nëpërmjet tregjeve më mirë të rregulluara të investimeve dhe të tërhiqen investitorët e huaj. Nga ana tjetër vendosen rregulla strikte për të siguruar mbikëqyerjen për paratë e investuara, besueshmërinë dhe transparencën.
Projektligji vendos standarde në interesin më të mirë të investitorëve, duke mos lejuar trajtime preferenciale si dhe duke siguruar konfidencialitet mbi të dhënat e investitorit si dhe vendos rregulla mbi shmangien e manipulimit të tregut dhe praktikave të tjera të paligjshme të tregtimit, si dhe rregulla për krijimin e institucioneve të reja. /scan