Zhvillohen Konsultimet Kombëtare të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
Për herë të parë në historinë e vendit tonë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar Konsultimet Kombëtare të të gjitha instancave dhe organeve të saj, duke dalë me disa rekomandime të rëndësishme. Kështu në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në Asamblenë e X-të Botërore të “Religions for Peace”, që do të mbahet në Lindau të Gjermanisë në gusht të këtij viti, janë mbajtur në Tiranë, në datat 20 dhe 27 qershor 2019, konsultimet kombëtare të Këshillit të Presidencës, Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë të KNFSH-së.
Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë janë themeluar rishtazi në mbledhjen e fundit të Këshillit të Presidencës mbajtur në prill 2019, përfaqësuesit e të cilëve janë mbledhur për herë të parë me 20 qershor, duke dhënë ide dhe propozime me mjaft vlerë për vendin tonë dhe më gjerë. Ndërsa në takimin e datës 27 qershor 2019 janë mbledhur për herë të parë të gjithë bordet dhe departamentet e KNFSH-së, ku relatorët e grupeve të punës, të cilët kanë punuar gjatë dy ditëve në disa seanca plenare dhe workshope, kanë referuar dhe lexuar rekomandimet dhe sugjerimet e dala gjatë takimeve të 20 dhe 27 qershorit. Në seancën e fundit, moderuar nga Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, kanë folur dhe krerët e komuniteteve fetare, njëkohësisht dhe anëtarë të Këshillit të Presidencës, ku fillimisht fjalën e mori Kryetari i KNFSH-së Prof. Dr. Anastasi, e më pas kanë përshëndetur edhe liderët e tjerë, të cilët kanë vënë theksin në rëndësinë e dialogut ndërfetar, por edhe frymës së dialogut në përgjithësi në këto ditë, ku ka kaq shumë nevojë për modelin e dialogut, si një vlerë e munguar në arenën politike në dobi të paqes sociale.
KNFSH është themeluar në 2007 nga krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri dhe sot bashkërendohet nga pesë komunitete të ndryshme fetare. Ai është vlerësuar në tetor 2018 me çmimin “De Mello për të Drejtat e Njeriut” në Krakov, Poloni, me motivacionin “Për Vëllazërinë Ndërfetare në Shqipëri”. KNFSH është anëtar me të drejta të plota në organizatën më të madhe ndërkombëtare “Fetë për Paqen” (Religions for Peace), themeluar në New York në 1970 dhe akredituar nga OKB, e cila në asamblenë e saj të dhjetë botërore, që do të mbahet në Gjermani, do të marrin pjesë më shumë se 1.000 liderë fetarë nga më shumë se 100 shtete të ndryshme të botës. Rekomandimet dhe sugjerimet e nxjerra gjatë këtyre takimeve të KNFSH-së, do të dërgohen në këtë Asamblenë në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë nga një delegacion i këtij institucioni, i cili përfaqësohet dhe me delegatët e vet në asamblenë më të madhe botërore të paqes.
Paqja vendoset dhe rregullohet vetëm përmes proceseve demokratike të zbatimit të politikave. Të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm nëse retorika e tyre tregon ose fton për konflikt, sepse konflikti vetvetiu implikon shkaktim të frikës dhe të frikësimit, e jo të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë. Për vendosje dhe për kultivim të paqes ndikojnë shumë faktorë të natyrës shoqërore, ekonomike, politike, kulturologjike dhe tjetër. Pa i kuptuar faktorët të cilët krijojnë dhe kultivojnë shoqëri paqësore, nuk do të jetë e mundur të zhvillohen programe, të krijohen politika ose të kuptohen burimet e nevojshme për ndërtim të shoqërive të qeta dhe stabile. Të njëjtat faktorë që krijojnë paqe, sjellin shumë rezultate të tjera pozitive drejt të cilave synojnë shoqëritë, siç janë ekonomi të zhvilluara, përfshirje më e madhe e qytetarëve në krijimin dhe realizimin e politikave publike, nivel të lartë të rezistencës dhe shoqëri, të cilat janë të afta t’u përshtaten njëra-tjetrës.
1. Situata aktuale në Shqipëri
1- Qeveria aktuale nuk siguron shërbime publike dhe civile të sigurisë së lartë, nuk krijon besim dhe pjesëmarrje, si dhe nuk tregon stabilitet politik.
2- Kemi mungesë të sistemeve rregulluese, që janë të favorshme për veprimtarinë e biznesit.
3- Në vendin tonë, shpërndarja e të ardhurave nuk është në barazi. Kjo ndodh pasi Shqipëria ka tendencën e shpërndarjes së burimeve në mënyrë joefikase.
4- Nivelet e korrupsionit – Në shoqërinë tonë korrupsioni është në nivele të larta, gjë që sjell mungesë fondesh për shërbimet thelbësore. Këto pabarazi çojnë në trazira dhe sjell një besim të ulët në institucione.
5- Pranimi i të drejtave të të tjerëve – Kjo shtyllë ndodh vetëm në mënyrë formale në shkallët e larta të shoqërisë. Pranimi i të drejtave të të tjerëve nuk ndodh në pjesën tjetër të saj.
6- Fluksi i lirë i informacionit – Media nuk është e lirë në shpërndarjen e informacionit.
7- Nivele të larta të kapitalit njerëzor – Këtu vlen të përmendet se Shqipëria ka një kapital mjaft të kualifikuar, por që po emigrojnë. Pothuajse pjesa më e madhe e rinisë së kualifikuar po largohen në vende të tjera.
2. Rekomandime
● Inkurajohen komunitetet fetare, që klerikët gjatë predikimeve të jenë të qendërzuar dhe me kahje nga dialogu, toleranca, bashkëjetesa, harmonia, koncepti i paqes, siç fetë e parashikojnë.
●Nxiten udhëheqësit fetarë, shoqëria civile dhe organet shtetërore të organizojnë simpoziume, botime, dalje mediatike, evidentime në mediat sociale të referimit ndaj rasteve të suksesit në parandalimin a ndërmjetësimin e zgjidhjes së konflikteve, me rol edukues e informativ, duke promovuar vlerat morale, fetare si elementë parandalues e transformues të konfliktit, ende pa ndodhur ai, ose pa ezauruar sjelljen e pasojave.
● Rekomandohet mbështetja buxhetore a dhënia e granteve nga shteti ndaj institucioneve të tilla si Komiteti Shtetëror për Kultet, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore të tyre.
● Stimulohen organet legjislative të plotësojnë kuadrin ligjor kundër konflikteve, organet politikëbërëse të hartojnë dokumente strategjike në terma afatgjatë për parandalimin ose transformimin e konflikteve.
● Adresohet prioriteti tek shoqëria civile për organizimin e trajnimeve, që lidhen me njohjen e rasteve potenciale për konflikt a mënyrat e ndërmjetësimit, organizimin e fushatave ndërgjegjësuese, hartimin e programeve alternative të edukimit pro paqe dhe kundër konfliktit, kryerjen e anketimeve, analizave të të dhënave dhe raportimeve për moslidhjen fe – konflikt, organizimin e aktiviteteve ndërkulturore e ndërfetare për pranimin e konceptit të ekzistencës së tjetrit me karakteristikat e veta, si hap kyç në parandalimin e konfliktit.
● Stimulohet aktivizimi online për dialogun dhe paqen si elementë suksesi të harmonisë fetare shqiptare dhe si modele për parandalimin a transformimin e konflikteve.
● Inkurajohen organet shtetërore për angazhimin e të rinjve kryesisht në kurse profesionale, punë sezonale, vende të lira pune, rritjen e nivelit të detyrueshëm arsimor në atë të mesëm dhe vendosjen e kurrikulës së edukimit fetar me zgjedhje që në klasat e hershme.
• Besimet fetare duhet të kenë një zë të përbashkët kur dënojnë korrupsionin, për më tepër ato duhet të jenë sa më pranë shoqërisë në shumë aspekte.
• Besimet nuk duhet të jenë pjesë e politikës por edhe politika, si pjesë e shoqërisë duhet të marrë vazhdimisht këshilla nga besimet fetare.
• Besimet fetare duhet të ruajnë dinjitetin dhe pavarësinë. Është e vetmja mënyrë që të krijojnë siguri në komunitetin, që operojnë dhe kështu t’i përçojnë komunitetit vlera të pacenuara.
• Popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë, duke pësuar një rënie me 0,3%, krahasuar me 1 janar 2018. Që do të thotë se shqiptarët nuk e shikojnë vendin e tyre, si zgjidhje për jetën. Besimet fetare mund të luajnë një rol kyç në rritjen e shpresës dhe besimit tek banorët e vendit. Kjo do të kërkonte investime serioze në fushat e formimit profesional por jo vetëm. Besimet fetare mund të japin kontributin e tyre duke theksuar dashurinë për Zotin dhe vendin (fenë dhe atdheun).
• Vendi jonë është i bekuar që ka një harmoni fetare për t’u marrë shembull. Besimet fetare duhet të marrin në konsideratë brishtësinë e kësaj harmonie.
• Besimet fetare për hir të ruajtjes së harmonisë, duhet të krijojnë grupe të përbashkëta dhe të përçojnë këtë harmoni në shkolla.
• Ruajtja e mjedisit dhe ndërgjegjësimi i çdo qytetari për mbrojtjen e tij.
• Krijimi i rrjeteve sociale, i website-ve ose forma të tjera marketingu ku të promovohen vlerat e përbashkëta morale ndërfetare.
• Përfshirja në media televizive ose të shkruar të rubrikave ndërfetare me tematika paqeje dhe dashurie midis popujve me kultura, tradita, besime, etni të ndryshme. Udhëheqësit fetarë dhe mënyra e drejtimit të tyre janë vërtet vendimtarë për stabilitetin e paqes botërore. Gjithashtu i duhet kushtuar rëndësi e veçantë interpretimeve të ligjeve fetare në frymën për të cilën kanë zbritur dhe të mos lejohet keqpërdorimi tyre. Interpretimi nuk duhet shkëputur nga konteksti dhe nuk mund të dalë jashtë parimeve bazë fetare, siç janë paqja, dashuria, mirësia.
• Krijimi i institucioneve rajonale pse jo dhe botërore ndërfetare në unifikimin dhe shkëmbimin e vlerave dhe parimeve të përbashkëta, për një botë më të mirë, që i shërben të ardhmes të sigurt.
• Shembulli shqiptar i bashkëjetesës duhet reklamuar edhe më shpesh ndërkombëtarisht, si dhe duhet shkëmbim i vlerave më të mira midis shteteve, duke u marrë shembujt më të mirë.
• Botime rreth këtyre vlerave dhe parimeve të përbashkëta, si libra, broshura etj. sepse gjërat që na bashkojnë janë më të forta se ato që na ndajnë!
• Mbështetje më e lartë ekonomike e qeverisë ndaj komuniteteve fetare, rregullimi i statusit ligjor të komuniteteve fetare, rikthimi i pronave, etj., në mënyrë që komunitetet të jenë më të konsoliduar dhe të pavarur financiarisht në përmbushjen e detyrës së tyre.
KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË
KËSHILLI I PRESIDENCËS
BORDI EKZEKUTIV
DEPARTAMENTI I GRUAS
DEPARTAMENTI I RINISË