Zhvillohet në Shqipëri një seminar ndërkombëtar pune, për të ardhmen

Durrës, Shqipëri, 16 shtator 2015 – Edhe kur ka ligje që garantojnë barazi gjinore, zakonet dhe traditat lokale mund të ushtrojnë një presion të nënkuptuar në favor të marrjes së pronësisë të tokës së blerë dhe të trashëguar vetëm për meshkujt. Kjo çështje do të eksplorohet në Durrës këtë javë në një seminar pune dyditor “Histori suksesi të integrimit të perspektivës gjinore në Ballkanin Perëndimor – Nxjerrje idesh për mbështetjen në të ardhmen".

Në Ballkanin Perëndimor, për të trajtuar këtë çështje në vitin 2013 është prezantuar një nismë e përbashkët FAO-Bankë Botërore. Nisma rajonale për administrimin gjithëpërfshirës dhe të informuar të tokës në lidhje me çështjet gjinore, që synon ngritjen e kapaciteteve për të hartuar raporte me të dhëna të zbërthyera sipas përkatësisë gjinore dhe për t’i përdorur për hartim politikash duke u mbështetur në informacione të vërtetuara, është përqafuar nga gjashtë vende në rajon: Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova , Mali i Zi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Serbia. Këto vende kanë ngritur ekipe gjinore, që përbëhen nga specialistë të administrimit të tokës, noterë, vendimmarrës të politikave shtetërore, nëpunës gjinorë, OJQ lokale dhe përfaqësues të sektorit privat. Këto ekipe janë trajnuar për “Udhëzimet vullnetare për qeverisjen e përgjegjshme të të drejtave mbi tokën, peshkimin dhe pyjet në kuadër të sigurisë ushqimore kombëtare”  dhe udhëzuesin teknik “Qeverisja e tokës për gratë dhe burrat”. Të dy këto dokumente janë përkthyer në gjuhën shqipe me mbështetjen e zyrës së UN Women në Shqipëri dhe gjenden si në format të shtypur ashtu edhe në format elektronik. 

Secili ekip ka vënë në zbatim një projekt pilot për integrimin e çështjeve të barazisë gjinore për të rritur ndërgjegjësimin e përfituesve, me synim që pronat të regjistrohen si nga gratë ashtu edhe nga burrat.

Mbështetur nga Deutsche Gesellschaftfür Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, FAO, UN Women Shqipëri dhe Banka Botërore, në konferencën e kësaj jave marrin pjesë anëtarë të ekipeve gjinore nga gjashtë vende (noterë, nëpunës të TI-së dhe drejtues të ekipeve), si edhe organizata mbështetëse, për të diskutuar për ecurinë e integrimit të perspektivës gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe për të nxjerrë ide për mbështetjen në të ardhmen.

Histori nga terreni

Shqipëria

Në Shqipëri, fushata e ndërgjegjësimit për të drejtat e pronës të grave dhe vajzave ka pasur në objektiv komunitetet e 8 bashkive (Vlorë,  Fier, Shkodër, Malësi e Madhe, Durrës, Shijak, Tiranë dhe Lezhë). U është ofruar këshillim 44 grave gjatë vitit 2014 në partneritet me Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare. Rreth 167 avokatë, specialistë të regjistrimit të pronave dhe noterë janë trajnuar për të mbushur hendekun gjinor në zbatimin e legjislacionit të lidhur me pronat. “Gratë dhe të drejtat e pronës”, një broshurë informative e përgatitur nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare dhe UN Women, përfshin një sërë praktikash të mira dhe të këqija në fushën e informimit të grave dhe të gjithë qytetarëve për të drejtat e tyre ekonomike dhe të pronësisë, rrugëzgjidhjet ekzistuese dhe procedurat përkatëse. Kjo broshurë ka si grup të synuar edhe profesionistët e së drejtës (gjyqtarët, specialistët e regjistrimit të pronave dhe avokatët) për të siguruar që gratë dhe vajzat të përfitojnë më shumë nga të drejtat dhe përfitimet nga prona. Në fund, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve përkatëse u është paraqitur për shqyrtim një listë me tetë propozime përfshirë katër ndryshime të legjislacionit dhe katër akte administrative dhe rregullore.  

Kosova

Në Kosovë, 15% e pronave në gjithë vendin është në bashkëpronësi me gratë. Vitin që shkoi u zbatua me rezultate pozitive një fushatë pilot për përjashtimin e tarifës së regjistrimit të pronës për çiftet që e regjistrojnë bashkërisht pronën: gjatë 2 muajve të parë të projektit, më shumë se 20% e pronave të regjistruara rishtazi kishin gra si pronare ose bashkëpronare në bashkinë e Shtimes. Në mbështetje të kësaj nisme, u është ofruar shërbim i ndihmës ligjore grave në fshat, përfshirë vejushat e ish-luftëtarëve, pakicat rome, ashkali dhe egjiptiane dhe të moshuarat. Shërbimet e ndihmës ligjore janë në përputhje me regjistrimin e vazhdueshëm sistematik që bëhet në 50 zona të reja kadastrore dhe e rrit afrimin me komunitetin për të promovuar pjesëmarrjen e publikut në procesin e regjistrimit sistematik. Efektiviteti i këtyre ndihmave ligjore është testuar me një test me zgjedhje të rastësishme dhe me grupe kontrolli në 8 prej 50 zonave kadastrore.

Serbia

Në Serbi, ku ka dallime të konsiderueshme sa i takon pronësisë së tokës nga gratë midis rajoneve të ndryshme (nga 13% deri në 51%), ekipi i këtij vendi ka marrë pjesë në mënyrë aktive në hartimin e projektit të financuar nga Banka Botërore “Menaxhimi i pasurive të paluajtshme” (2015-2020) për të trajtuar grupet në pozita të pambrojtura dhe për të promovuar përfitim të drejtë nga të drejtat e pronës. Në skemën e projektit janë përfshirë mekanizma specifikë për të trajtuar pozitat e pambrojtura, duke përfshirë shërbimet e lëvizshme të regjistrimit; renovimin e disa zyrave vendore të regjistrimit për të siguruar mundësinë e arritjes së zyrave nga personat me aftësi të kufizuar; ngritjen e kapaciteteve për personelin e zyrave vendore të regjistrimit; përmirësimin e strategjive të komunikimit; dhe krijimin dhe përdorimin e të dhënave të zbërthyera sipas përkatësisë gjinore.

IRJ e Maqedonisë

Në IJR të Maqedonisë, ekipi në vend është fokusuar tek ngritja e kapaciteteve institucionale për të promovuar dialogun për politikat dhe për të integruar çështjen e barazisë gjinore në nivel vendor. Janë bërë pyetësorë në familje në tri komuna pilot dhe është evidentuar një hendek i konsiderueshëm midis perceptimit të grave dhe burrave në lidhje me sigurinë e të drejtës mbi pronën dhe të dhënave faktike administrative për regjistrimin e pronave të grave dhe burrave. Një vrojtim me pyetësor i familjeve tregon se 95% e pjesëmarrësve besojnë se të drejtat mbi pronën i kanë të sigurta dhe se vajzat dhe djemtë kanë të drejta të barabarta në trashëgimin e pronës së prindërve, por të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë gjinore tregojnë se vetëm 16% e pronave kanë gra të regjistruara si pronare apo bashkëpronare. Një prej komunave pilot, Aerodrom, është angazhuar për të trajtuar çështjen e të drejtave të sigurta mbi pronën të grave në strategjinë e ardhshme të integruar për zhvillim si një prej fushave me më shumë përparësi.

Shumë është bërë por puna nuk duhet të ndalet me kaq.

Entuziazmi dhe shkëmbimi i ideve dhe përvojave mes ekipeve të vendeve ka treguar se ndryshimet janë të mundshme, pavarësisht nga zakonet dhe traditat që kanë hedhur rrënjë të thella. Me kornizat ligjore premtuese që po miratohen, ekipet gjinore mund ta vazhdojnë punën për të rritur barazinë gjinore në Ballkanin Perëndimor. Ekipet e vendeve kanë hartuar një plan që përfshin mbështetje për noterët në mënyrë që të mblidhen të dhëna dhe të jepet kontribut për përgatitjen e një udhëzuesi gjinor dhe trajnim për integrimin e perspektivave gjinore në punën e përditshme të noterëve; zhvillim të platformave rajonale për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave të zbërthyera sipas përkatësisë gjinore nga vendet pjesëmarrje në format të standardizuar, në përputhje me kërkesave globale dhe me fokus të veçantë tek toka bujqësore dhe zhvillimi i mjeteve fleksibile të raportimit për të dhëna të zbërthyera sipas përkatësisë gjinore nga regjistrimi i popullsisë, vrojtimet dhe sistemet administrative; mbështetje për hartimin e të dhënave për monitorimin e objektivave të lidhura me tokën të Objektivave të rinj të Zhvillimit të Qëndrueshëm të cilët në versionin e tanishëm kërkojnë, ndër të tjera, reforma për t’u dhënë grave të drejta të barabarta për burimet ekonomike, si edhe mundësi përfitimi pronësie dhe kontrolli mbi tokën dhe forma të tjera të pronave; metodikë dhe testim me projekt pilot në zona më të vogla; Dhe vlerësime të kuadrit ligjor duke përdorur instrumentin e vlerësimit të legjislacionit për të drejta mbi tokën, në mënyrë të barabartë nga aspekti gjinor. Një qasje rajonale dhe një shkëmbim rajonal do t’i ndihmojnë ekipet e vendeve të mësojnë nga përvojat e tyre dhe të shfrytëzojnë praktikat më të mira.

SHKARKO APP