Zhvillon punimet në Durrës Asambleja e Përgjithshme e ABNA SE

Presidenti i ri i ABNA-SE është zgjedhur Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Drejtori i agjencisë AGERESS të Rumanisë, Aleksandër Giboi.

Në këtë takim, marrin pjesë rreth 25 drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve më të njohura të rajonit, Europës por edhe nga disa vende të tjera të botës. Ai po zhvillohet në  dy pjesë: mbledhja e punës së Asamblesë dhe pjesa e dytë do të fokusohet mbi diskutimin për promovimin e turizmit nga ana e agjencive të lajmeve.

 

Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së, Gëzim Podgorica, në fjalën e tij theksoi se ky takim është rast i mirë për të ndërtuar më shumë ura konkrete bashkëpunimi të cilat rrisin protagonizmin dhe autoritetin e agjencive të lajmeve dhe i bëjnë ato referenca serioze dhe të pazëvendësueshme.

Në këtë takim mori pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Agjencive të Lajmeve të Europës, EANA, Erik Nyen, i cili në fjalën e tij theksoi se agjencitë e lajmeve duhet të rrisin bashkëpunimin nga Parlamenti Europian për të kërkuar mbështetje më të madhe nga BE-ja.

Në situatën e re të krijuar në rrafshin global me avancimin sa më të madh të informacionit online dhe rrjetet sociale, agjencitë e lajmeve kanë një sfidë për të zgjeruar gamën e informimit edhe në aspektin utilitar në shërbim të publikut siç është sektori i turizmit dhe promovimit të tij.

Aktiviteti ka zhvilluar punimet në Hotelin “Adriatik” në bregdetin e Durrësit. Në pjesën e parë të Asamblesë që nisi punën në 09.15 është diskutuar mbi raportin e punës së ABNA-SE për periudhën një vjetore, si është zgjedhur Sekretari i i ri Përgjithshëm i kësaj organizate dhe Presidenti i ri i ABNA-SE. Në këtë takim ka mbajtur dhe një fjalë përhëndetëse ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.

Në mbledhjen e sotme është  përcaktuar edhe vendi ku do të mbahet konferenca e radhës që është Sarajeva.

Agjencitë e Lajmeve të rajonit ranë dakord ë të ngrenë një sektor të veçantë për promovimin e turizmit.

Aleanca e Agjencive të Lajmeve të Ballkanit dhe Europës Juglindore u formua në vitin 1995 m synimin për të siguruar një bashkëpunim më të madh mes agjencive të lajmeve të rajonit por edhe të kontribuojë për një klimë paqeje, miqësije, sigurie dhe bashkëpunimi në rajonin tonë. Konferenca themeluese është mbajtur në slanik në vitin 1995 si një nismë e MPA, ndërsa Asambleja e Parë u mbajt në Antalia të Turqisë më15 e 16 Dhjetor të vitit 1995. Anëtarët e rregullt të organizatës janë: ANA (Greqi), ANADOLU (Turqi), ATSH (Shqipëri), BTA (Bullgari), MIA (Maqedoni), MPA (Selanik), ROMPRES (Rumani), SRNA (Banja Luka), TANJUG (Serbi), ndërkohë që vëzhgues janë FENA (Sarajevë), HINA (Zagreb), MOLDPRES (Moldavi), STA (Slloveni).

SHKARKO APP