Zingraf: Tregtia Gjermani-Shqipëri e ulët, investitorët duan garanci

Gjermania ka deklaruar vazhdimisht se mbështet integrimin e Shqipërisë në BE. Ambasadori gjerman Peter Zingraf, tha se  udhërrëfyesi për reformat që u hodh nga Bundestagu gjerman, së bashku me përparësitë kyçe të Komisionit Evropian janë një bazë e shëndetshme, me anë të së cilës Shqipëria do të arrijë synimin për tu anëtarësuar në BE.

Por sipas tij, shqetësim është tregtia, e cila në vitin që lamë pas nuk ishte në nivele të kënaqshme. Nga qeveria kërkoi garanci për investitorët.

Peter Zingraf: Tregtia mes dy vendeve tona ishte e ulët. Çdo lloj investuesi potencial do ta marrë vendimin për të investuar vetëm në rast se ata do të jenë të sigurt për një mjedis biznesi që e lejon këtë. Ka një numër të caktuar kompanish, por është siguria ligjore dhe një administratë publike e pakorruptuar  që janë gjërat kryesore. 

Mënyra për të ecur përpara për të çelur negociatat janë këto elementë që janë kyç për çdo investues, për të parë me shumë sukses, por edhe për zhvillim të mëtejshëm ekonomik në Shqipëri. 

Më shumë transparencë dhe llogaridhënie, duke pasur parasysh edhe çështjet që kanë të bëjnë me pronat, tenderat, por edhe projektet e infrastrukturës. 

Tani që reforma në drejtësi po zbatohet, ambasadori kërkoi ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë. Ndërsa kërkoi nga ligjvënësit që shqetësimet e biznesit ti marrin seriozisht.

Peter Zingraf: Inkurajoj zyrtarët qeverisë dhe ligjvënësit që ta shtojnë punën e reformave dhe ti marrin shqetësimet e biznesit në mënyrë serioze. Shqipëria duhet të shfrytëzojë potencialin ekonomik dhe të rigjallërojë atë entuziazëm që u dha nga kancelarja Merkel në hapjen e konferencës së madhe në 2015 me biznesin gjerman.

Duke folur për dëmet e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, Zingraf tha se Gjermania është në anën e Shqipërisë duke e ndihmuar me donacione dhe grand 4 mln euro.

SHKARKO APP