Zjarr në ambulancën e re në QSUT, të sëmurët drejt Saukut

Një zjarr është regjistruar mëngjesin e sotëm në urgjencën e re në QSUT. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe forca të shumta policie. Të sëmurët transportohen me ambulanca pranë spitalit të Sanatoriumit në Sauk. Akoma nuk dihen shkaqet e zjarrit. Autoritetet janë duke punuar për të transportuar të sëmurët. Zjarri është fikur në këto momente.

“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar”, njofton policia.

Për situatën ka pasur edhe një reagim nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, në të cilin thuhet se menjëherë sapo u raportua për zjarr janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar, ndërsa po vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit.

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym. Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen. Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë angazhimit të personelit mjekësor dhe atij zjarrfikës. Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, thuhet në reagim.

SHKARKO APP