Zjarr në Kuçovë, rrezikohen 5 puse nafte dhe banesat
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka rënë pasditen e sotme në zonën naftëmbajtëse të qytetit të Kuçovës, duke alarmuar banorët e lagjes për shkak të afërsisë me puset e naftës dhe banesat.
Zjarri shpërtheu në një zonë me ferra, shkurre dhe kallamisht, ndërkohë që kushtet atmosferike – me erë të fortë dhe temperatura të larta – ndihmuan përhapjen e tij të shpejtë. Përballë rrezikut në rritje, përforcime nga të gjitha shërbimet zjarrëfikëse të qarkut Berat u dërguan menjëherë në ndihmë të zjarrfikësve të Kuçovës.
Pas më shumë se një orë përpjekjesh intensive, flakët u vunë nën kontroll pa shkaktuar dëme në puset e naftës apo në banesat përreth. Aktualisht, zjarri është shuar plotësisht, ndërsa disa vatra të vogla ende të nxehta pranë puseve vazhdojnë të monitorohen nga ekipet zjarrfikëse.
Sipas të dhënave paraprake, si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 2 hektarë me ferra, shkurre dhe kallamisht. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
KOHA JONË SONDAZH

