Zjarret/ Duma: Doli në pah propaganda e qeverisë, na la veç me një helikopter
Deputetja e zgjedhur e PD-së në 25 prill, Grida Duma thotë se keqmenaxhimi, paaftësia dhe korrupsioni janë elementët që situata e zjarreve dhe fatkeqësitë e tjera natyrore kanë nxjerrë përherë në pah. Po ashtu Duma shkruan në facebook se propaganda e paguar me taksat e qytetarëve ndër vite nuk fshehin dot as dështimet e qeverisë.
“Keqmenaxhimi, paaftësia, shpërdorimi i detyrës, korrupsioni janë elementët që fatkeqësitë natyrore kanë nxjerrë përherë në pah, duke rrëzuar propagandën hileqare të regjimit. Sot, Shqipëria ka mbetur vetëm me një helikopter për shuarjen e zjarreve dhe një tjetër që përdoret për shëtitjet e Edi Ramës.
Korrupsioni që ka shkrumbuar financat e shtetit i ka lënë qytetarët dhe pasuritë natyrore pa mbrojtje, ndërsa punonjësit e emergjencave civile dhe forcat e ushtrisë detyrohen të përballen me zjarrin me mjete rrethanore.
Mashtrimet e përsëritura ndër vite dhe propaganda e paguar me taksat e qytetarëve nuk fshehin dot as dështimet, as dëmet që modeli korruptiv i ndërtuar nga Edi Rama po i shkakton vendit. Nëse ky model nuk ndëshkohet, Shqipëria do të lëngojë nga kriza në krizë për shkak të një pakice që punon vetëm për veten, jo për shqiptarët”, shkruan Duma.