Zjarret në vend, Çako fajëson bashkitë: Nuk kanë ngritur strukturën për emergjencat

Përgjegjës për zjarret masive në Shqipëri, qeveria bën bashkitë. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ua faturon drejtuesve të bashkive daljen nga situata. Ai thotë se shumë prej bashkive s’kanë ngritur infrastrukturën e duhur për ndërhyrje, siç parashikon ligji për mbrojtjen civile.

“Përgjegjësia bazë është e bashkive për të menaxhuar situatën dhe parandaluar atë. Mbi bazë të ligjit për mbrojtjen civile. Ata duhet të vendosin në prioritet absolut për investime për parandalimin e fatkeqësive natyrore si fenomen të cilët e vendosin për fatin tonë të keq në vendet më të ekspozuara. Një pjesë e bashkive ende nuk kanë krijuar strukturat në bazë të këshillit ministrave dhe ligjit për mbrojtjen civile. Pothuajse shumica e bashkive duhet ta kthejnë vëmendjen dhe interesin tek kjo fushë përgjegjësie”,-tha për ”Tv Klan”.

Shumica e zonave me risk të lartë kanë qenë në Vlorë, Gjirokastër, Kukës dhe Lezhë. Ndërsa aktualisht mbetet zona në veri të vendit. Autoritet ende nuk kanë një shifër për sipërfaqen e djegur në dy javë intensive me zjarresh nga veriu në jug. Çako thotë se prefektët e çdo qarku duhet të fillojnë të bëjnë bilancin e dëmeve.

SHKARKO APP