Zjarrfikësit/Bajrami: Ka mungesë veshjesh, bombolash dhe kamerash termike

”Dëshmori i Atdheut”, Arjan Sala vrapoi drejt flakëve për të shpëtuar kolegët e tij. E gjithë ngjarja ndodhi në një dinamikë mjaft të tensionuar dhe me një fund tragjik për 32-vjeçarin. Trupi i tij u nxorr pas 60 orësh që nga momenti kur u bllokua në magazinën e qendrës tregtare. Familjarët akuzuan sistemin e emergjencave se zjarrfikësit punuan pa mjetet e përshtatshme. Të njëjtin shqetësim ngre edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami.

”Korridori për hyrjen në magazinë ishte me temperatura relativisht të larta. Në atë rast, duhen veshje të tjera nga ato që ne përdorim sot. Nuk kemi kamera termike, çdo stacion duhet të ketë kamera termike”, theksoi Bajrami.

Sipas drejtorit të zjarrfikëseve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, operacioni u krye me mjetet e duhura dhe në një kohë më të shpejtë sesa u parashikua.

”Kemi ngritur grup pune për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ditën e djeshme analizuam të gjithë operacionin që u zhvillua. Automjeti ynë i parë ishte pas 6 minutash dhe më shpejt se aq nuk ka mundësi të shkojë. Sipas meje, ishte një situatë e menaxhuar shumë mirë. Kemi aparatura që na lejojnë ne të futemi në ambiente me çdo lloj temperature”.

SHKARKO APP