Zjarri në godinën historike në Sarandë, Tare zbuluar detaje të pathëna: U la qëllimisht të digjej

“Bar Lulishtja” godina historike në qytetin e Sarandës, u shkrumbua këtë të premte. Studiuesi Auron Tare, dëshmitar në venengjarje, ka zbuluar detaje të pathëna nga ngjarja. Ai tha se fillimisht mori flakë një kioskë e braktisur ngjitur me godinën historike, ndërkohë që zjarri u neglizhua qëllimisht sipas tij.

”Fatkeqësisht unë isha aty, se po dilja nga banka, kur mori zjarr një kioskë e braktisur ngjitur me godinën historike. Duke qenë se ndalova dhe e pashë që në fillesë, mendoj me aq modesti sa mund të kuptoj unë, se zjarri ishte jo vetëm i qëllimshëm por ndërhyrja ishte e mangët. Nuk mori zjarr godina, por mori kioska ngjiur dhe kishte goxha deri te 20 minuta kohë për ta shuar.

Duke qenë se është në qendër zjarri do të ishte shuar menjëherë nëse do të kishte një lloj bonsensi për ta shpëtuar atë godinë historike. Ishte shumë interesante, banorët e vjetër të qytetit që u mblodhën ishin gati duke qarë, sepse janë njerëz që kanë shumë lidhje emocionale me godinën. Ajo ka qenë godina e ish-konsullatës italiane. Ndërkohë që këta të ardhurit, më të rinj, me tuta dhe me atlete, qeshnin dhe thoshin iku dhe kjo”, tha Tare në ”Euronews Albania”

E njohur si “Bar Lulishtja” gjatë periudhës së komunizmit dhe deri në ditët e sotme, godina në pronësi të bashkisë Sarandë, ka shërbyer në vitet 1920-1930 si Agjensia Konsullore Italiane. Godina kishte si status marrëdhëniet konsullore dhe diplomatike me Italinë me juridiksion Jugun e Shqipërisë. Godina ishte e vendosur në Sarandë për shkak të portit dhe marrëdhënieve tregtare të qytetit, por dhe të gjithë zonës së jugut.

SHKARKO APP