Zjarrvënia e qëllimshme në Fier. Arrestohet një person, gruaja procedohet në gjendje të lirë
Një person u arrestua në Fier për shkatërrim të pronës me zjarr ndërsa një tjetër u procedua në gjendje të lirë.
Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. V., 59 vjeç, banues në Hoxharë e Vjetër, Fier, pasi duke djegur barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një sipërfaqe me bimësi në vendin e quajtur “Grykëderdhja e lumit Seman”.
Gjithashtu, po nga këto struktura u procedua penalisht shtetasja J. M., banuese në Grykë, Fier, pasi duke djegur disa barëra të thatë, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë ka dëmtuar pronën e tjetrit duke i djegur bazën ushqimore të blegtorisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.