“Zogu i Tiranës” në pranga, ja për çfarë akuzohet
Hermes Nikaj, i njohur më së shumti me pseudonimin “Zogu i Tiranës”, është arrestuar nga policia me akuzën e shfrytëzimit të vajzave për prostitucion. Së bashku me të janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet.
Sipas Shqiptarja.com, arrestimi i Nikajt erdhi pas një hetimi prej gjashtë muajsh nga policia dhe prokuroria e Tiranës. Pas përgjimit të telefonave, mesazheve dhe vëzhgimeve në terren, prokuroria dha urdhër për arrestimin e tij.
Thuhet se Nikaj shfrytëzonte vajzat për prostitucion kundrejt pagesave nga 100 deri në 500 euro. Po kështu, dyshohet se ai luante rolin e menaxherit dhe përdorte disa qendra estetike, ku përpos shërbimeve estetike, vajzat përdoreshin për favore seksuale kundrejt pagesës.
Mendohet se ky grup i përdorte ato edhe në klubet e natës në kryeqytet për të shoqëruar personazhe VIP dhe jo vetëm. Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se Nikaj përfshihej edhe vetë në marrëdhënie seksuale në grup. Hermes Nikaj zotëron edhe një qendër estetike të vetën, por nga hetimet nuk dihet ende nëse është përdorur për shfrytëzim prostitucioni ose jo.