Zona më e nxehtë e Covid-19? Bino: Tirana, përkeqësim nëse…
Shqipëria po përjeton një situatë kritike nga Covid-19. Tirana është zona më e nxehtë e epidemisë. Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino kërkon respektimin e masave, pasi këtë periudhë virusi është më ngjitës nga sa mendohej.
”Ne vëmë re se kemi të bëjmë me një sëmundje që është më ngjitëse se në shkurt. Kemi të bëjmë me një sëmundje që përhapet në rrugë ajrore, virusi qëndron pezull në ajër. Nëse do të përhapej përmes stërklave, nuk do të ishte kaq infektues. Pra, nëse rrimë në një dhomë me kondicioner ne jemi të riskuar nëse nuk mbajmë maska”.
Nga ana tjetër, ajo thotë se infektimet më të mëdha kryesisht kanë ndodhur në vendet e punës. ”Duhet të parandalojme transmetimin në vendin e punës. Qoftë në zyrat e shtetit apo në kompani private duhet të zbatohet protokolli i shpallur që në fillim të epidemisë. Puna të bëhet me orare të caktuara, dikush të punojë nga shtëpia dhe dikush nga puna për të ulur transmetimin. Ne kemi vënë re se aty ku është ruajtur masa, nuk janë gjetur raste pozitive”.
Përfaqësuesja e Komitetit të Ekspertëve thotë se ende nuk ka një vendim përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor. ”Është shumë më e vështirë të zbatohen këto masa në shkollat 9-vjeçare apo në kopshte. Kjo do të vlerësohet rast pas rasti dhe në varësi të situatës së epidemisë”.