Zonat e reja, ja ku do të jetojnë të prekurit nga tërmeti
Qeveria ka miratuar rregullat dhe procedurën e përshpejtuar për hartimin dhe miratimin e planit të detyruar vendor, si dhe procedura e miratimit të lejeve të zhvillimit dhe lejeve të ndërtimit, në rastet e fatkeqësive natyrore, për objektet e reja dhe/ose të infrastrukturës publike, si dhe zonave të reja për zhvillim. Këto plane kanë për qëllim zhvillimin dhe/ose rizhvillimin e një zone të dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore; zhvillimin e një zonë të re për të përballuar nevojën për strehim të familjeve të prekura nga fatkeqësia si dhe ndërtimin e infrastrukturave publike.
Ky vendim parashikon që njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet përgjegjëse shtetërore për planifikimin e zhvillimin e territorit, në rast fatkeqësie natyrore, duhet të marrin masa të hartojnë dhe të miratojnë planin e detyruar vendor, si dhe lejet përkatëse për zhvillim e ndërtim, sipas kushteve e procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Këto njësi duhet të identifikojnë zonat të cilat do t’i nënshtrohen hartimit të planit të detyruar vendor, me qëllim përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
Vendimi parashikon që grupi i punës, i ngritur nga kryetari i bashkisë dhe i përbërë nga specialistë të bashkisë dhe/ose ekspertë të licencuar, të përzgjedhur sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, harton planin e detyruar vendor, brenda 30 ditëve pune nga data e shpalljes me vendim të Këshillit të Ministrave të zonës së re për zhvillim dhe/ose nga data e identifikimit të zonës të dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore që përfshihet në zhvillim dhe ia paraqet kryetarit të bashkisë për miratim.
Plani i detyruar vendor dërgohet dhe paraqitet për njohje edhe në Këshillin Kombëtar të Territorit, në mbledhjen e radhës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa që, pas miratimit, plani i detyruar vendor të integrohet me planin e përgjithshëm vendor, duke ndjekur përcaktimet e vendimit nr.686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, të ndryshuar. Vendimi parashikon dhe procedura të përshpejtuara për shqyrtimin dhe miratimin e lejes së ndërtimit.
PLANET VENDORE
Plani i detyruar vendor ka për qëllim:
a) zhvillimin dhe/ose rizhvillimin e një zone të dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore;
b) zhvillimin e një zonë të re për të përballuar nevojën për strehim të familjeve të prekura nga fatkeqësia;
c) ndërtimin e infrastrukturave publike.
Plani i detyruar vendor përmban, të paktën:
a) planin e përcaktimeve territoriale, i shprehur në relacion dhe hartën shoqëruese për pikat emëposhtme:
analizën që paraprin përcaktimet territoriale;
përcaktimet për përdorimin e tokës për çdo nënnjësi në nënkategori dhe funksione, sipas rregullave të vendimit nr. 686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar;
iii. përcaktimet e infrastrukturave teknike, duke përfshirë ato të transportit, të energjisë, të telekomunikacionit dhe të ujësjellës-kanalizimeve;
përcaktimet e kushteve të zhvillimit për nënnjësitë dhe/ose për parcelat;
programin për zbatimin e planit të detyruar vendor-ndërtimin e infrastrukturave, shërbimeve
publike dhe banesave;
b) rregulloren e planit të detyruar vendor, mbështetur në përcaktimet për rregulloren e PDVsë,
sipas vendimit nr. 686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar;
c) imazhe ilustruese për zhvillimin e zonës;
ç) raportin e vlerësimit teknik që paraprin miratimin e planit.
Burimi: Monitor