“Zoti Luli” ose sindroma e çunit të mirë
Nga Andi Bushati-
Lulzim Basha nuk shkëputet dot nga sindroma e çunit të mirë që do t’u pëlqejë më të mëdhenjve. Reagimi i tij i sotëm, pas atentatit që Edi Rama dhe një grusht deputetësh karagjozë i bënë marrëveshjes politike të 5 qershorit, përparimit të vendit drejt BE-së, dhe rregullave të përbashkëta për garën elektorale, mund të justifikohet vetëm me frikën naive se mos i prish qefin ambasadorëve, që e kanë këshilluar, të vazhdojë të dialogojë edhe pasi Kryeministri ka përmbysur tryezën.
Ajo mund të përligjet vetëm me kompleksin fëmijëror për mos u sharë nga Yuri Kim, e cila bëri dje një nga deklaratat më qesharake që ndonjë diplomat i huaj ka lëshuar në këtë vend: “fillimisht ndryshoni kushtetutën, pastaj bisedoni”.
Po të dëgjoje Lulzim Bashën, pas ndryshimit brutal të kushtetutës, ai foli për dhunim, për prishje të njëanshme të marrëveshjes, për Ramën që po i del boja para të huajve, por ai u shmang të thoshte thelbin: ç’do të bëje opozita pas këtij atentati të radhës?
Një lider nuk vlerësohet nga loghoreja e fjalëve që rendit, as nga sa bukur di të qajë apo të ankohet, ai është i tillë nga pesha e akteve që ndërmerr.
Lulzim Basha pas kësaj prerje në besë, pas shkeljes së nenit të marrëveshjes që sanksionon se s’duhet të ketë ndryshime unilaterale, pas përdhosjes së faktit se 5 qershori i njeh dhe i pranon koalicionet, pas prishjes së precedentit 30 vjeçar, për të mos i shkruar vetëm njëra palë rregullat e lojës, duhet të ishte më i qartë.
Ai duhej të deklaronte pa ngurim se nuk ulet më në atë tryezë të reformës zgjedhore ku e trajtuan si lolo bashkë me ambasadorët që kishte me vete.
Ai duhet të shpallte se nuk e njeh më marrëveshjen e 5 qershorit si një produkt konsensual.
Ai duhet të thoshte se një nga 15 kushtet e BE për fillimin e negociatave tashmë ka rënë dhe të bënte thirrje publike që hapja e tyre të ngrinte deri sa Edi Rama të ishte në kryeministri.
Kjo e fundit duket shumë e fortë, por ndoshta me këtë regjim nuk ka rrugë tjetër. Sepse po të sakrifikojmë demokracinë për negociatat, nuk do të kemi as të parën as të dytën dhe aq më pak zgjedhje normale.
Por Basha, nuk bëri asgjë nga këto. Ai e la ta hapur se mund t’i bindet apelit të ndërkombëtarëve për të vijuar dialogun, nuk e mbylli përfundimisht vijimin e tryezës dhe u kompleksua se mos i mbetet mbi shpinë imazhi i atij që po pengon integrimin.
Ashtu si para 30 qershorit të vitit të shkuar, ashtu si në 14 janar të këtij viti edhe tani, ai po përpiqet të bëjë figurë të mirë tek ambasadorët, duke tradhtuar vokacionin e masës së madhe opozitare.
Dhe me këtë vijë sjellje ne do të vazhdojmë të kemi me Bashën një çun të mirë, por gjithashtu dhe një bandit që atij i grabit gjithmonë gjithçka. Ndërsa diplomatët do të jenë të kënaqur me të urtin dhe xhentilin “zoti Luli”, por zgjedhjet në fund do t’i vjedhë prapë Rama.