Zotimi i Ramës për prishjen e Teatrit, Liçaj: I ra vetes me shpulla, i është qepur Teatrit për kulla
Një nga qëndrestarët kundër prishjes së Teatrit Kombëtar prej më shumë se dy vitesh tashmë, thotë se kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj e kanë të humbur betejën e tyre me këtë godinë simbol të kulturës dhe artit shqiptar.
Neritan Liçaj për Ora News tha se Rama me deklaratën se do prej 22 vitesh tenton të shembë Teatrin i ra vetes me shpullë pasi nuk do t’ja arrijë siç dhe nuk ja ka arritur.
Liçaj: Kryeministri i ra vetes në shpullë kur tha se kam që në ’98 që dua të prish Teatrin, ka 22 vjet që nuk e prish dot. Kemi vetëm një armik të vetëm, Edi Ramën që i është qepur këtij Teatri.Kush është ky zotëri që do të vedosë mbi fatet e artit dhe kulturës? Pse? Që të bëjë kulla dhe lekë për vete. Jam i bindur siç e kemi mposhtur këto 22 vjet dhe këtë periudhë, do ja dalim dhe kësaj radhe. Por mendoj se këta me Teatrin Kombëtar duan të spostojnë vëmendjen nga varfëria. Largimi i shqiptarëve, keqmenaxhimi i pushtetit, tërmetit dhe pandemisë. Kjo është më budallaqe nga ana e Ramës dhe Veliajt.
Ai i bëri thirrje SPAK, prokurorisë së përgjithshme dhe të gjithë institucioneve të tjera që kanë për detyrë të mbrojnë Teatrin, të tregojnë dinjitet.
Liçaj tha se VKM për kalimin e Tatrit Kombëtar në pronësi të bashkisë është e paligjshme pasi ende është në fuqi ligji special Fusha.
Liçaj: Kanë ardhur tre policë bashkiakë dhe ca civilë, 25-30 vetë. Kanë dashur të futen me forcë në Teatrin Kombëtar duke nxjerrë një fletë bakalli atje që thotë se e marrim në dorëzim Teatrin Kombëtar. VKM është e paligjshme përderisa ligji special Fusha është akoma në fuqi dhe nuk ka rënë siç gënjen kryetari i pavotuar dhe i paligjshëm i bashkisë Tiranë, që gënjen gjithmonë. Ligji bie kur qeveria e tërheq nga parlamenti, një gjë të tillë nuk e ka bërë. Boll me broçkullat e të pavotuarit dhe të paligjshmit Erion Veliaj, nuk gënjen dot më kaq ashiqare. Nuk mund të marrë me një defter bakalli një pronë kombëtare që i takon Ministrisë së Kulturës.Edhe shteti shqiptar nuk e shemb dot këtë Teatër se është në paligjshmëri dhe i kapur në aferën korruptive. Për të bërë miliona për vete do të shembë një nga institucionet kryesore të artit dhe kulturës në Shqipëri, për të cilat shqiptarët janë larë në gjak në shekuj. Do të marrë këto dy teatro kombëtare se do të bëjë lekë vetë ai përmes kullave dhe betonizimeve.