Zvicra hap rrugën e saj për guidat turistike shqiptare të certifikuara

Për herë të parë do të sanksionohet me ligj certifikimi dhe standardizimi i guidave turistike. Ky proces parashikohet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm, kohë në të cilën do të miratohen edhe aktet nënligjore të ligjit të ri të turizmit. Ekspertët e turizmit thonë se zhvillimi i këtij profesioni do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të reja të punës, si dhe në promovimin e zonave të turizmit. Në më pak se një vit është rritur ndjeshëm interesi i të rinjve për të qenë një guidë profesionale turistike, për shkak se tashmë me ligjin e ri, certifikimi dhe standardizimi i tyre do të kthehet në detyrim. Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike (NATGA) Marin Mato, tha se janë 1470 persona që kanë shfaqur interes dhe kanë kërkuar të informohen rreth trajnimeve për t’u bërë guida turistike. Në këto trajnime mësohet se çfarë njohurish bazë duhet të ketë një guidë, etika me të cilën duhet të veprojë, sesi duhet të drejtojë grupin turistik në zona të veçanta, në raste vështirësish, që kanë të bëjnë me natyrën apo me infrastrukturën. Mungesa e një përcaktimi ligjor kishte rritur rastet e abuzimeve dhe të mosprofesionalizmit që reflektonin një nga ngërçet më të mëdha të turizmit, siç është cilësia e shërbimit. Sipas kreut të guidave shqiptare, viti i ardhshëm do të jetë i vështirë për industrinë, pasi konkurrenca është në rritje dhe kjo vlen edhe për guidat që përfaqësojnë një pjesë të imazhit të industrisë. “Gjithnjë e më shumë, Shqipëria po tërheq turistë të huaj me origjina të ndryshme. Por, është e nevojshme që të disiplinojmë këtë profesion, duke trajnuar burime njerëzore të afta për t’i bërë ballë edhe një tregu më të gjerë dhe të standardizuar. Ende mungon hartimi i një doracaku, gjë që duhet të reflektohet. Parashikohet që viti i ardhshëm të ketë një fluks turistësh në rritje, kjo do të thotë kërkesa për cilësi më të lartë. Nuk janë më ata turistë që vijnë të vizitojnë një vend që nuk dihej se nga binte. Prurjet do të rriten edhe nga vende që nuk kanë ardhur deri më sot. Situata do të jetë më komplekse, pasi turistët kërkojnë cilësi maksimale, guida të mirëmenduara dhe që nxjerrin në pah aspektet më unike të Shqipërisë”, thotë z. Mato.

Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Tiranë sugjeron që Shqipëria duhet të punojë për të identifikuar më mirë aspektet unike të saj, duke ofruar produkte turistike të veçanta, gjë të cilën e kanë konsoliduar tashmë vendet fqinje si Mali i Zi e Greqia. Qeveria zvicerane është duke mbështetur financiarisht projektin ‘Risi Albania’ që synon rritjen e punësimit të të rinjve shqiptarë në tre sektorë kyç, siç është turizmi, agro-përpunimi dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit. Në lidhje me turizmin, “Risi Albania” për të dytin vit radhazi do të organizojë konkursin që promovon produktet e reja turistike. Këtë herë është përzgjedhur rajoni i Gjirokastrës. Produktet do të mund të jenë gati që gjatë vitit 2016. Ky projekt po ndihmon aktorët për të zhvilluar një sistem të harmonizuar për trajnimin dhe akreditimin e udhërrëfyesve cilësorë turistikë, që parashikohet të jetë gati vitin e ardhshëm.

Për ambasadorin e Zvicrës, Christoph Grant, një nga sfidat me të cilët duhet të përballet turizmi shqiptar është të mos limitohet më vetëm te turizmi det dhe rërë, por të diversifikojë ardhjet në rajone të tjera dhe përtej sezonit. “Turizmi vlerësohet të rritet me rreth 4% në vit, sipas vlerësimeve të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit. Kjo do të thotë më shumë të ardhura dhe të punësuar, por ka ende punë për t’u bërë. Në Shqipëri, ndikimi që jep turizmi në PBB është 6%, por unë besoj që ka më shumë potencial për të shtuar vende të reja pune. Tri janë aspektet ku duhet të fokusohet puna. Së pari, Shqipëria duhet të gjejë identitetin e saj, për produktet dhe shërbimet. Duhet të jetë e ndryshme nga ajo e fqinjëve. Së dyti, duhet të ketë një sjellje të integruar ku kombinohet infrastruktura, shërbimi dhe informacioni. Të tria këto elemente të rëndësishme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Së treti, cilësia e shërbimeve. Duhet të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme dhe të arrihen standardet ndërkombëtare. Kjo kërkon investime në burimet njerëzore, me trajnime dhe shtim të aftësive”, tha z. Grant. Sipas tij, është e rëndësishme që të rritet profesionalizmi i guidave turistike, përmes trajnimeve dhe certifikimeve. “Në Zvicër, guida turistike ka një histori 150-vjeçare, kohë në të cilën turistët europianë nisën të eksplorojnë alpet”.

Ministria, aktet nënligjore gati në prill të 2016-s

Me ligjin e ri të turizmit, që ka hyrë në fuqi në tetor të këtij viti, përcaktohet se udhërrëfyesi turistik është një figurë komplekse ku ndërthuren elemente, si lidershipi, interpretimi, ndërmjetësimi, kultura etj. Të gjitha luajnë rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, si destinacion turistik. Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit pranë MZHETTS, Sonia Popa, thotë se udhërrëfyesi turistik përbën një hallkë të rëndësishme të industrisë së turizmit, e cila kërkon vëmendje, profesionalizëm dhe trajnime të vazhdueshme. “Ofrimi i shërbimeve cilësore nga udhërrëfyesi ndikon në një pjesë të konsiderueshme në përmirësimin e imazhit dhe promovimin. Vendi ynë gjithnjë e më shumë po vizitohet nga turistë të huaj, duke u kthyer në destinacion të konsoliduar. Në këtë situatë, lindi nevoja për ta profesionalizuar figurën e guidës, si një ambasador, nga një drejtues grupi që është trajtuar deri më sot”, thotë znj. Popa. Në kreun e 9-të të ligjit trajtohet me kujdes figura e guidës turistike, duke parashikuar cilësi, shërbime, nëpërmjet procesit të edukimit, certifikimit dhe trajnimit të vazhdueshëm. Ligji përkufizon këtë profil, si një person në moshë mbi 18 vjeç, i certifikuar nga Ministria përgjegjëse për Turizmin, që ofron asistencë, informacion të trashëgimisë kulturore, historisë së vjetër dhe bashkëkohore për një grup të organizuar turistësh ose individë të veçantë në një qytet, fshat, rrethinë me interesa të veçanta, vlera edukuese etj.. Ligji njeh tri kategori udhërrëfyesish: lokalë, kombëtarë dhe të specialiteteve të veçanta. Me aktet nënligjore do të përcaktohet se cilat janë ato. Certifikimi do të bëhet nga Ministria përgjegjëse për Turizmin, ose më saktë nga Komisioni i Standardeve që do të ngrihet, por pas procesit të testimit dhe trajnimit. Vlefshmëria e këtij certifikimi do të jetë dy vjet dhe pastaj do të kërkohet ricertifikimi, bazuar në orët praktike, por edhe në kreditet e marra apo pjesëmarrjet në konferenca të ndryshme.

Në nenin 61 të ligjit “Për turizmin” trajtohet edhe problemi i turistëve të huaj që operojnë në mënyrë ilegale në vend. Sipas ligjit, çdo i huaj që dëshiron të ushtrojë aktivitet në Shqipëri, duhet të plotësojë dy kushte themelore, të jetë rezident jo më pak se një vit dhe të ketë njohuri bazë të gjuhës shqipe, të vërtetuar me dokumente dhe më pas duhet t’i nënshtrohet procesit të certifikimit, si në rastin e guidave shqiptare. Aktualisht, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit është duke punuar për aktet nënligjore, që duhet të përfundojnë deri në prill të 2016-s. Ndërsa rregullorja e veprimtarisë dhe kodi i etikës do të miratohet me vendim të qeverisë. Çdo kategori udhërrëfyesish do të shoqërohet me një kurrikul të veçantë, e cila do të jetë produkt i bashkëpunimit të disa institucioneve përgjegjëse. Drejtorja e Përgjithshme e Turizmit, thotë se për të shmangur të gjitha problemet apo bllokimet e mundshme është parashikuar një periudhë tranzitore deri në fund të vitit 2016, gjatë së cilës do të akreditohen strukturat e nevojshme për të bërë trajnimet dhe certifikimet. Gjatë kësaj periudhe, të gjithë udhërrëfyesit që operojnë në terren do të mund të bëjnë kërkesë për certifikim, sipas modelit që do të miratohet dhe do të vazhdojnë të punojnë normalisht deri në momentin kur përfundon procesi i certifikimit.

BOX

Këshilla biznesi

Si të shfrytëzohen skemat qeveritare të financimit për subjektet e vogla

Janë rreth gjashtë skema financimi që po synojnë të mbështesin sipërmarrjen e vogël dhe të mesme në Shqipëri. Për një pjesë të tyre, buxhetet janë shpërndarë plotësisht, ndërsa ka edhe projekte që kërkojnë rishikim, pasi nuk kanë arritur që të zbatohen, siç është ai i grave në sipërmarrje. Në kushtet e vështirësive ekonomike të luftës për të mbijetuar, biznesi duhet të ndërgjegjësohet dhe të shfrytëzojë ato mundësi që i ofrohen për të përfituar nga grantet apo kreditë me terma të butë që qeveria vë në dispozicion përmes programeve që drejtohen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

Ka kaluar rreth një vit që nga hyrja në fuqi e strategjisë së biznesit dhe investimeve 2014-2020. Nëpërmjet saj synohet krijimi i një klime biznesi, që lejon sipërmarrësit të zhvillohen dhe rriten nëpërmjet përmirësimit të financimit, nxitjes së konkurrueshmërisë së SME-ve dhe inovacionit. Ndërsa pritet që masat për uljen e informalitetit dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme në treg do të japin një efekt të rëndësishëm në rritjen e numrit të bizneseve të reja. Nëpërmjet draft-strategjisë së biznesit dhe investimeve synohet që deri në vitin 2020, të arrihet një rritje e ndërmarrjeve aktive në treg me 10.6%; rritje e numrit të të punësuarve me 34%; rritje të eksporteve me 67,7% dhe rritje të IHD-ve me 46%.

SHKARKO APP