Zvicra mbështet qeverinë shqiptare me 105 milionë franga
Zvicra do të mbështesë me 105 milionë franga qeverinë shqiptare për zbatimin e reformave, të cilat do të përmirësojnë demokracinë dhe shtetin ligjor, klimën e biznesit dhe kushtet e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Kjo mbështetje do të mundësohet përmes Programit të Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për periudhën 2022-2025.
Programi u bë publik në një aktivitet, ku merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre; Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane, Patricia Danzi; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministra të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore.
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen që ka dhënë në vite dhe vazhdon të japë për Shqipërinë.
“Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve. Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publik – privat”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se Programi i Bashkëpunimit 2022-2025 nuk është vetëm një Strategji, por një dokument për të dy palët, për të çuar përpara projekte konkrete të cilat mbështesin reformat kryesore të qeverisë.
KOHA JONË SONDAZH

