Zv/Ministre Gentjana Sula: “Qeveria mbështetje biznesit fason 250 milion lekë për industrinë fasone.”

Pas paketës së masave që mbështesin industrinë e përpunimit aktiv, ose siç e quajmë ndryshe industria fasone, në Shqipëri, qeveria mban një tjetër premtim të sajin për këtë sektor.

Këshilli i Ministrave vendosi dje institucionalizimin e krijimit të fondit në mbështetje të industrisë fasone, si fond buxhetor më vete, me synim rritjen e punësimit në këtë degë të ekonomisë dhe zhvillimit të kompetencave profesionale të punonjësve.

Vitin që vjen për këtë fond janë planifikuar 250 milion lekë.

Vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave është në radhë të parë, një lajm i mirë për industrinë fasone në Shqipëri, si sektori me më shumë të punësuar në vend: Në proceset e zgjerimit të prodhimit të tyre, ata do të kenë mundësi të punësojnë punonjës të rinj që do t’i kualifikojnë me kosto zero. Po ashtu, do të përfitojnë personel më të aftësuar.

Është lajm i mirë për qytetarët e papunë, të cilët do të përfitojnë nga programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit me praktika pune të pagueshme. Aplikimet do të fillojnë nga janari i vitit 2015 dhe ky fond do të mbështesë punëdhënësit e industrisë fasone për nxitjen e punësimit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore për këtë industri, si dhe forma të tjera të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Është një lajm i mirë edhe për nxënësit e mësuesit e katër shkollave të mesme profesionale me profil konfeksione, që do të jenë përfituese të investimeve në baza prodhuese këtë vit. Si dhe për kursantët e qendrës së formimit profesional numër 4, e cila do të pajiset me një bazë moderne prodhuese të plotë.Fondi në mbështetje të industrisë fasone, përveç buxhetit të shtetit mund të ketë si burim financimi edhe donatorë apo institucione financiare.

 

SHKARKO APP