Zyrtarë dhe diplomatë dënojnë vrasjen e zyrtarit të lartë të Policisë
Vrasja e zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha nga 21-vjeçari Aldi Rama ka nxitur reagime nga diplomatë dhe zyrtarë të lartë në Shqipëri. Presidenti Ilir Meta shpreh keqardhjen për vrasjen dhe nxit Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen e autorëve, nxjerrjen para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.
“Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!” shkroi kreu i shtetit në Facebook.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dënoi ngjarjen e rëndë teksa theksoi se dora e zezë që shtiu kundër tij do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit.
“Policia e Shtetit po bën gjithçka duhet në një operacion të gjerë për kapjen e autorit. Sado të kërkoj me kujdes fjalët për të shprehur ngushëllim për familjen Hoxha, zor se mund të gjej të atë të duhurën për të zbutur sadopak peshën e rëndë të këtij akti kriminal. Kurajë dhe forcë brenda vetes! Lufta me krimin është e vazhdueshme dhe kurrsesi që ne nuk do të dorëzohemi përballë askujt. Kurrë”.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim përmes një postimi në Twitter, ka shprehur keqardhjen për humbjen e jetës në krye të detyrës të një efektivi, ndërsa thekson se të gjithë duhet të jenë mirënjohës për heroizmin e njerëzve të tillë që i shërbejnë të mirës publike.
“Ngushëllimet më të përzemërta familjes dhe kolegëve të efektivit të Policisë së Shtetit, i cili u vra në krye të detyrës. Policia dhe të tjerë shërbime të emergjencës përballen me rrezikun në emër të të gjithë qytetarëve dhe ne jemi mirënjohës për heroizmin e tyre. Ne shpresojmë që autorët të vihen para drejtësisë”.