Zyrtarët me armë, 182 pistoleta s’janë dorëzuar ende

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato, u ka dërguar një letërporosi drejtorive vendore, që të mbledhin të gjitha armët që mbaheshin me leje nga zyrtarët, me ligjin e vjetër “Për armët”.

Policia e Shtetit tha  zyrtarisht se nga informacionet e marra nga strukturat vendore të policisë, janë pajisur me armë zjarri 350 zyrtarë për shkak të detyrës. Këta janë prokurorë, gjyqtarë, deputetë, kryetarë bashkish, ish-kryetarë komunash, punonjës të Policisë Pyjore, të Hetimi Tatimor, përmbarues gjyqësorë etj.

Letërporosia e Çakos është shpërndarë më datë 26 shkurt dhe për rreth një muaj, deri më 31 mars, Policia ka mbledhur 168 pistoleta të funksionarëve të lartë, nga 350 që figuronin “me leje”. Burimet thanë se këto armë janë dorëzuar vullnetarisht nga ana e zyrtarëve që i posedonin, ndërsa mbeten ende pa u dorëzuar edhe 182 pistoleta të tjera.

Sipas Policisë, të gjithë zyrtarët që vazhdojnë t’i kenë në posedim këto armë, kanë afat deri më datë 10 prill që të bëjnë dorëzimin e tyre. Në të kundërt, do të nisë procedimi penal për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, më problematikët në dorëzimin e armëve duket se janë prokurorët dhe gjyqtarët.

Letër-porosia

Në zbatim të ligjit nr. 74/ 2014 “Për armët”, nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë Publike u është dërguar strukturave vendore të Policisë së Shtetit letërporosia me nr.123, datë 26.02.2016, “Për masat që duhet të merren dhe procedurat që duhen ndjekur nga strukturat vendore të policisë, për zbatimin e ligjit ‘Për armët’” Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se, strukturat vendore të policisë kanë hartuar plane veprimi me detyra konkrete të përcaktuara për grumbullimin e armëve të dhëna me leje sipas ligjit të vjetër për armët, që tashmë është i shfuqizuar dhe vazhdon puna për grumbullimin e armëve nga subjektet fizike dhe juridike Nga strukturat vendore të Policisë janë njoftuar zyrtarisht me shkrim personat, të cilët janë pajisur me armë sipas ligjit të vjetër, për dorëzimin e armëve. “Nga informacionet e marra nga strukturat vendore të Policisë, janë pajisur me armë zjarri 350 zyrtarë për shkak të detyrës (prokurorë, gjyqtarë, deputetë, kryetar bashkish, ishkryetarë komunash, Policia Pyjore, Hetimi Tatimor, përmbarues gjyqësorë, etj). Deri më datë 31.03.2016 janë grumbulluar 168 armë dhe kanë mbetur pa u grumbulluar 182 armë zjarri (pistoleta)”, thuhet në njoftimin e Policisë. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë sqaron se, nga të dhënat që disponon Policia e Shtetit, institucionet më problematike në dorëzimin e armëve të zjarrit janë kategoria Gjykatë dhe Prokurori. “Procesi i grumbullimit të armëve të dhëna me leje, sipas legjislacionit të shfuqizuar, po vazhdon me intensitet nga komisariatet dhe drejtoritë vendore të Policisë”, shprehet zyrtarisht Policia e Shtetit. – “Panorama”

SHKARKO APP