Zyrtari i SHBA-ve juristëve të rinj: Demaskoni korrupsionin, nxirreni në shesh ta shikojnë të gjithë
I Ngarkuari me Punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Daniel Koski gjatë një fjale të mbajtur gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Juridikut, tha se shpresonte që të bëheshin pjesë e një brezi të ri që kundërshtonin korrupsionin.
“Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë”, tha ai midis të tjerash, duke shtuar se ky fenomen fshihet gjithandej në vende të dyshimta.
“Shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm.
Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben… Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë”, theksoi ai.