Zyrtari me ko*ainë në mjet, p*rplas efektivët e policisë. AMP hap kamerat

Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Eneo Sulejmani u kap me 1 kg kokainë në makinë. Sulejmani ishte bashkë me dy të rinj të tjerë në makinë, dhe kishin në plan të shkëmbenin drogën mbrëmjen e 21 marsit në rrugën “Mihal Duri”, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, në Tiranë, por plani nuk u shkoi ashtu siç duhej.

Antidroga e Tiranës ka ndërhyrë pas informacioneve dhe Sulejmani në tentativë për tu larguar ka tentuar të shtypte me makinë tre agjentët e antidrogës. Në këtë moment njëri prej efektivëve ka qëlluar më kushtet e vetëmbrojtjes në mënyrë të pavullnetshme.

Veç një plumb ka qitur nga arma e tij e shërbimit dhe plumbi ka depërtuar në pjesën e dorezës së derës së anës së shoferit, duke e kapur Sulejmanin në kofshë. Ai është dërguar më pas në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Tre të arrestuarit dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin drogën tek vendi ku u kapën nga agjentët e antidrogës. Antidroga e Tiranës i kishte prej disa muajsh vëzhgim dhe në ndjekje. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla shprehet se efektivi i Policisë së Shtetit ka zbatuar ligjin dhe “duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po heton përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

SHKARKO APP