Ambasadori gjerman Peter Zingraf, takim me Nikollën: Shqipëria, partnere e besueshme e jona
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka pritur këtë të mërkurë Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.
Ambasadori Zingraf uroi Kryetaren Nikolla për zgjedhjen në detyrën e lartë dhe e garantoi për vazhdimin e bashkëpunimit të Bundestagut dhe Qeverisë së re të
Gjermanisë me Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë.
Bashkëpunimi dypalësh shqiptaro-gjerman është i shkëlqyer, çka u dëshmua edhe me vizitën zyrtare të Kancelares Angela Merkel në Shqipëri më 14 shtator. Bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bundestagut Gjerman është gjithashtu intensiv dhe produktiv.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, falenderoi Ambasadorin Zingraf për urimet dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë ndaj proceseve të reformave në Shqipëri, në veçanti mbështetjen e vazhdueshme për reformën në drejtësi, si edhe ndihmën për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit e pandemisë së COVID-19. Gjermania është një partner i rëndësishëm bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe një mbështetje e fuqishme e Shqipërisë.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se:
“Shqipëria i është mirënjohëse Gjermanisë dhe Kancelares Merkel për mbështetjen e fuqishme të integrimit europian të Shqipërisë dhe së fundi edhe për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare brenda presidencës sllovene. Shqipëria ka përmbushur me sukses pesë prioritetet e integrimit, kushtet e Bundestagut si edhe kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian i marsit 2020 dhe jemi gati të ulemi në Konferencën e parë Ndërqeveritare. Gjermania është liderja e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit është një nxitës dhe mbështetës i aspiratave europaiste si edhe i dialogut e pajtimit mes popujve të rajonit. Ne kemi besim se qeveria e re në Gjermani të vazhdojë të investojë në mbajtjen dinamike, të besueshme dhe të prekshme të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.”
Ambasadori Peter Zingraf vuri në dukje se Shqipëria është një partnere e besueshme e Gjermanisë në rajon e më gjerë dhe ky partneritet do të vazhdojë të fuqizohet edhe në të ardhmen.