Ambasadorja amerikane Yuri Kim: Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, e ftuar në emisionin “Përballë”, i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë, se nëse duan të votojnë ndryshimin 25 prilli është momenti.

Ajo tha se nëse shqiptarëve i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament, duhet t’i ndëshkojnë me votë në 25 prill.

“Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet.
Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht.
Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti”, u shpreh Yuri Kim.

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim është shqetësuar nga titujt e mediave pas një interviste të saj lidhur me zgjedhjet në Shqipëri. Kim ka sqaruar deklaratën e saj në rrjetin social të Tëitter-it, duke u shprehur se SHBA nuk mbështet asnjë parti apo kandidat të veçantë. Sipas saj, SHBA-të paralajmërojnë vetëm ata që duan të blejnë votat e qytetarëve për të ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve.

“Po shoh disa tituj të pavërtetë. Ju lutemi shikoni të gjithë intervistën. Shtetet e Bashkuara NUK mbështesin ndonjë kandidat ose parti të veçantë. SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të bërë të ditur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron kundër atyre që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit,” – shkruan Kim.

 

SHKARKO APP