Balla flet për arrestimin e kryebashkiakut dhe zv.ministres: Drejtësia e re po godet majtas dhe djathtas

Kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, foli për mediat lidhur me arrestimet e ish-kryebashkiakut Fatos Tushe dhe ish-zv.ministres Rovena Voda.

Në deklaratën e tij, Balla tha se përgjegjësia është individuale dhe PS ka vendosur standard të ri duke u distancuar dhe duke i përjashtuar personat nën hetim.

Balla po ashtu tha se arrestimet që po kryen SPAK-u hedhin poshtë pretendimet e atyre që vunë në dyshim drejtësinë e re, që sipas tij po godet si majtas si djathtas.

Kur ne kemi mbështetur prej ditës së parë reformën në drejtësi ka qenë bindja që institucionet e reja të Reformës në Drejtësi duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe që shpërdoron financat publike. PS ka vendosur një standard që uroj dhe u bëj thirrje që të gjitha forcat e tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë. Fatos Tushe nuk është më pjesë e PS. Ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë (Voda). Sepse këtë standard e kemi vendosur prej shumë kohësh. PS nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo person që këtë hesap e ka personal me drejtësinë. Këto ditë ka qenë edhe dy kryetar të tjerë bashkish nga LSI dhe PD, ku njëra u dënua dhe tjetri është marrë në hetim. Dallimin mund ta bëni thjeshtë. PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ, përgjegjësia është personale. Të gjithë ata që kishin aludime ç’po bën SPAK-u tani të shohin rezultatet”, tha Balla.

 

SHKARKO APP