Bamir Topi: Edi Rama do t’ja kalojë Enver Hoxhës për qëndrimin në pushtet

Ish-presidenti Bamir Topi foli në emisionin “Kjo Javë” në News24. Por ndonëse ishte dje akoma ka komente në rrjetet sociale sidomos për prononcimin se Edi Rama do t’ja kalojë Enver Hoxhës për qëndrimin në pushtet. Ai ka parasysh opozitën e sotme e cila mbetet e përçarë.
Gjatë bisedës në studio ish-presidenti u shpreh se opozita duhet të reagojë, ndryshe kryeministri Edi Rama do t’ja kalojë edhe Enver Hoxhës për qëndrimin në pushtet.
“Përderisa procesin elektoral e kontrollojnë vetëm dy parti politike, që në shumë raste janë edhe bashkëpunëtorë për të eliminuar të tretët. Në 2013 na vodhën na shkatërruan me vota. Fryma e Re Demokratike në nivel kombëtar i lamë 80 mijë vota zyrtarisht. E thonë vetë me zërin e tyre. Tani çfarë vlerë kanë shifrat që përmenden. E rëndësishme është që ne do shohim pafundësisht njerëz që do paguhen me rroga të majme në parlament, të jenë në opozitë të kenë pushtetin e opozitës. Do të shohim një kryeministër që i cili jam i bindur që në këto kushte do të kalojë edhe kohëzgjatjen e qëndrimit të Enver Hoxhës në pushtet”, u shpreh ai.
Pyetje: Rama qëndron në pushtet sipas jush për shkak të Berishës dhe të kësaj opozitë apo sepse ka prirje autoritare?
Bamir Topi: Të dyja
Pyetje: Ndihmojnë njëra-tjetrën?
Bamir Topi: Absolutisht. Kam përshtypjen se e ka pasur prirjen autoritare por i është forcuar gjatë rrugës. Filloi të bëhet më i pandjeshëm, filloi të shohë në krahun tjetër që sa kohë kishte figura të tilla e bënte gjumin rehat. Një kryeministër nuk mund ta bëjë gjumin rehat kur i ndodhin gjëra të tilla.