Bota e ideve që na bën të lirë
Reflektim për librin “Të lirë” të Lea Ypit, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Dudaj”
Albert Gjoka
Libri i Lea Ypit “Të lirë” tashmë është kthyer në një “fenomen”: Janë të paktë librat e botuar në Shqipëri dekadën e fundit që janë përcjellë me kaq shumë debate dhe reagime. Madje, ky libër ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare më në zë, si Wall Street Journal, The Guadian, Washington Post etj., ejt, të cilat e kanë kapërcyer edhe analizën për Lea Ypin si autore. Bashkë me zhurmën e madhe, me të njëjtin ritëm kanë ecur edhe shitjet e librit në platformat globale, si dhe në rrjetin e librarive në Shqipëri dhe ky është një lajm i mirë.
Përtej kësaj zhurme, ajo çfarë konstatohet është se Lea Ypi është një rrëfimtare (storyteller) e zonja. Ajo ka ditur ta tregojë “story-in” e saj, e cila ka bërë për vete njëherësh edhe lexuesin shqiptarë dhe jo-shqiptar, si rrallë herë për autorët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në emigrim.
Historia e vajzës në Shqipërinë e bunkerizuar, me ëndrrat utopike për tu bërë komuniste dhe e gruas me zhgjëndrrën e madhe ndaj demokracisë vjen si rrugëtim plot drama për një brez të tërë, përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve. Sigurisht, ky libër nuk ka ç’tu thotë shumë prej njerëzve që nuk kanë reflektuar ende për komunizmin tipik shqiptar, që ideologjinë dhe marksizmin e kishte thjeshtë një fasadë të bukur për të justifikuar krimet e shëmtuara që fshihen brenda tij; e as për atë xhins konformistësh delenxhinjë, të cilët lirinë e kuptuan si një hapësirë për të zhvatur dhe mbushur xhepat e tyre.
Ky libër nuk është as për ata që u arsimuan dhe u diplomuan larg librash, me një fletore në xhepin e pasëm të pantallonave ku mbaheshin shënime të gjitha lëndët shkollore dhe në xhepat e tjerë të mbushur plot me fara, me të cilat përtypej koha pa vramendje nga njerëz pa-ëndrra dhe mbushej kotësia e një jete pa ide. Nuk është për këtë soj njerëzish që iu dhanë jetë formave më parazitare, informale dhe të paligjshme të shoqërisë shqiptare përgjatë tri dekadash tranzioni plot dhimbje. Ndokush mund të mos ndihet pjesë e historisë së Leas, e cila është e ushqyer më ëndrra të bukura, plot flamuj dhe yje pesëcepësh, para sofrës së thatë ku kishte veç margarinë dhe marmalatë. Ka të tillë që i kanë kyçur qëllimisht në një sënduk, si të ishte kutia e Pandorës, në cep të subkoshiencës së tyre. Por, Lea ka bërë krejt të kundërtën, – duke rrëfyer me shumë thjeshtësi dhe sinqeritet çdo fletë të asaj kohe, gjatë vdekjes së një epoke dhe fillimit të një tjetre. Për ta bërë një rrëfim të tillë nuk duhet thjeshtë mjeshtri narrative, por duhet guxim dhe vetëdije për kohën së cilës i përket individi – dhe një gjë të tillë Lea Ypi e bën më së miri përmes këtij libri.
Sigurisht, këtu ka lindur edhe diskutimi nëse libri “Të lirë” është thjeshtë një autobiografi apo është një “fiction”. Mendoj se kjo është çështja më pak e rëndësishme kur flitet për këtë libër. Në diskursin bashkëkohor, kufijtë mes botës së trilluar dhe asaj reale janë të padukshëm: Ato e kapërcejnë vijën ndarëse, luajnë me njëri-tjetrin dhe me lexuesin gjithashtu: Ajo që vihet në peshore është aftësia e autorit për të treguar historinë. Për një lexues si unë, që i përkas të njëjtës kohë; madje edhe të njëjtit areal me autoren, gjatë leximit mund të lundrojmë më shumë në botë reale, por për lexuesit më të rinj, apo për ata që do të vijnë, irealja është më e gjallë edhe për shkak të paradokseve dramatike të kohës së komunizmit dhe të tranzicionit marrë së bashku.
Librit “Të lirë” nuk i mungon “letrariteti”; madje, mjetet që e prodhojnë një gjë të tillë në një tekst sjellin rëndesën e tij, përkundër faktit se autorja është profesoreshë e shkencave politike, apo diçka tjetër. Mekanizmi i kujtesës që ka përzgjedhur autorja, përmes barrës së rëndë që i ka dhënë personazhit Lea, në të dy kohët është tipike për veprat letrare, paçka se në momente të tilla ndërhyn Lea si instance autoriale, sidomos në fund të librit.
Sigurisht, Lea Ypi nuk është mjeshtre e narracionit, – nuk i njeh teknikat e stërholluara narrative, – nuk është e fantaksur pas fjalës së zgjedhur dhe frazës së kopsitur: Besoj se ajo nuk e ka një pretendim të tillë, – por gjëja më e rëndësishme për të është të rrëfejë kohën e saj. Dhe këtë “mision” e realizon më së miri: Komunizmin e përshkruan ashtu siç e ka parë një fëmijë, pa filtra, – një qenie e manipuluar, që jeton iluzionin e reales derisa kupton se ai sistem ishte ndërtuar mbi bazën e gënjeshtrës. Thuajse, në të njëjtin projeksion fatkeqësisht shfaqet edhe periudha e trancizionit, ku e ashtuquajtura demokraci prodhon në fund zhgënjim për individin sepse edhe këtu gënjeshtra është mjet demakogjik për ta manipuluar individin. “Shqipëria si gjithë Europa”, “tregu i lirë”, “integrimi”, “familja Europiane” janë fjalët pas të cilave kapemi ende pa shpresë se do t’ia vëmë kapakun tranzicionit të stërlodhshëm dhe pamundësisë për të hapur një epokë të re për një shoqëri me zhvillim të qëndrueshëm.
Këtu nuk po flasim që të krahasojmë sistemet apo të ofrojmë një qasje pesimiste për ato që ka ndodhur përgjatë këtyre 32 viteve; por, po parashtrojmë një ftesë të hapur për të reflektuar secili prej nesh për ato gabime që kemi bërë të gjithë; për këtë gjendje të brishtë mbijetese që gjallon ende mes nesh, për këtë dhunë të pamatë që ka në mjediset publike, për këto elita politike që shquhen për zellin për të garuar në jetëgjatësi dhe akte me ato të sistemit komunist; për paftësinë kronike për të ndryshuar rrënjësisht sistemin arsimor në vend dhe për të ndërtuar një sistem ekonomik të qëndrueshëm.
Ky libër të mban peshë sepse autorja ka aftësinë për të ndërtuar botën e individit në raport me sistemet, – në kohë të ndryshme; – të marrëdhënies së individit me botën e ideve. Çdo kohë ka ideologjinë e vet dhe autorja ka aftësinë për t’i shkriftëzuar idetë e dy kohëve: Ideologjinë komuniste të manipuluar rrënjësisht dhe botën pa ide që po jetojmë në këto 32 vite tranzicioni.
Pikërisht, tek mungesa e ideve gjenden edhe shkaqet e krizës tonë. Autorja mëton të thotë me të drejtë se shoqërinë jetojnë përmes ideve dhe me idetë. Falë tyre njerëzit dhe shoqëritë i japin kuptim kohës. Përmes tyre njerëzit angazhdohen për të ndërtuar. Fataliteti i kohës tonë mbetet tek mungesa e ideve; po të doni ju, edhe tek shpërdorimi, në ndonjë rast.
Traditën e pranojmë jo për ideologjinë që përcjell, por si një detyrim për shkak të kordonit biologjik. Autorja mban qëndrim ndaj familjes si një strukturë sociale pa ide, e cila nuk është e aftë t’i bëjë ballë dallgëve të jetës. E tillë është edhe familja e Leas. Autorja përpiqet të shkojë në thelbin e krizës së familjes. Teksa e lexon këtë libër të vijnë ndërmend idetë apo aktet e fëmijëve të viteve ’60 në Europë, të cilët u rebeluan ndaj gabimeve të prindërve të tyre që e përvëluan Europën dy herë rrjesht gjatë shekullit të XX.
Ne jemi një shoqëri që nuk kontraktohemi përmes ideve; nuk rreshtohemi sipas bindjeve ideologjike. Edhe partitë politike apo organizatat ku mblidhen njerëzit nuk janë hapësira apo përballje idesh dhe platformash, por janë strofkulla pazaresh, kulisash, ku njerëzit i bashkon i njëjti ves, e njëjta krahinë, i njëjti besim dhe i njëjti cen: paftësia për të jetuar në botën e ideve.
Ka ndodhur që bota të përvëlohet nga zjarri i ideve, por Shqipëria është rasti tipik i drejtimit pa ide, apo ku idetë dhe ideologjitë janë shpërdoruar, në pamundësinë e tyre për tu formësuar dhe për t’u shpalosur nga elitat tona.
Idetë na shërbejnë për të prodhuar sisteme. Sistemet i vendosin njerëzit në një mjedis me rregulla dhe parime. Prandaj, unë e shoh këtë libër si zanafillën e një ideje për t’u bërë të lirë. Kjo ftesë i drejtohet një brez që ka jetuar mes iluzionit dhe gënjeshtrës, por larg botës së ideve. Ky është një libër që të fton ta pranosh historinë ashtu siç është; edhe veten tënde ashtu siç je, pa justifikime; të bën që të reflektosh për atë që je dhe të ndërtosh mbretërinë e ideve të tua, si e vetmja rrugëzgjidhje për të jetuar i lirë në çdo kohë dhe sistem, pavarësisht asaj që ndodh jashtë teje. Për të tillë njerëz kemi nevojë sot. Për të libra të tillë, po ashtu.