1 në 10 pacientë përjetojnë simptoma edhe 12 javë pas prekjes nga Covid-19
Ekspertët e OBSH-së publikuan këtë të enjte një raport ku thuhet se mijëra pacientë me Covid-19 vazhdojnë të vuajnë simptoma të zgjatura shumë muaj pas infektimit me Covid-19, çka ka sjellë edhe pasoja të rënda sociale, shëndetësore dhe ekonomike në jetët e tyre.
Raporti i titulluar ”Pasojat afatgjata të Covid-19” tregon se një ndër 10 pacientë të prekur vazhdojnë të përjetojnë shqetësime me gjendjen shëndetësore edhe 12 javë pas prekjes nga virusi, ndërkohë disa prej tyre i përjetojnë edhe më gjatë këto simptoma.
”Ju keni dëgjuar se si kjo sëmundje mund të shkaktojë një gjendje të tejzgjatur debulese. Personat që kane kaluar Covid-19 përshkruajnë simptoma si dhimbje muskujsh, lodhje, vështirësi ne frymëmarrje dhe atë që disa e quajnë mjegullim të mendjes”, tha Martin Mckee, profesor në Observatorin Europian të Sistemeve Shëndetësore.
Drejtori për Europën në OBSH, Hans Kluge tha se simptomat e tejzgjatura të Covid mund të kenë një impakt negativ në shëndetin dhe ekonominë e personave, dhe si pasojë duke ndikuar edhe në punësimin e tyre.
”Një në dhjetë pacientë me Covid-19 vazhdon të ketë shqetësime edhe pas 12 javësh nga infektimi, për disa kjo zgjat edhe më shumë. Ne duhet të dëgjojmë dhe të kuptojmë. Ata që vuajnë nga simptomat e post-covid duhet të dëgjohen nëse ne duam të kuptojmë pasojat afatgjata të Covid-19. Ky është një prioritet për OBSH-në, dhe i një rëndësie të veçantë. I njëjtë duhet të jetë shqetësimi edhe për të gjitha autoritetet shëndetësore”, u shpreh Kluge.