1 shtator, miliona nxënës në Europë e botë rikthehen në banka

1 shtatori hapi dyert e shkollave në shumë shtete europiane. 12.4 milionë nxënës në Francë i’u drejtuan bankave të shkollës pas pushimeve të gjata verore. Presidenti Emmanuel Macron tha se sfidat janë të panumërta por ai u bëri thirrje të gjithëve të tregojnë të njëjtën përgjegjësi si në muajt paraardhës.

Italia nis të hënë me kurset e prapambetura, testi i parë pas izolimit. Prova e vërtetë do të jetë më 14 shtator kur do të bien zyrtarisht zilet në gati të gjitha shkollat. Nxënësit do të qëndrojnë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit dhe do të mbajnë maskë nëse ruajtja e distancës nuk do të jetë e mundur.

Kapaciteti i transportit publik është rritur me 80 për qind. Në Belgjikë mbi 1.2 milionë nxënës iu rikthyen bankave, me rregulla që ndalojnë ndryshimet e klasave mes leksioneve dhe kërkojnë ajrosje të rregullt të ambienteve dhe mbajtjen e maskave edhe gjatë mësimit.

1 shtatori është tradicionalisht dita e parë e shkollës edhe në Rusi, e ky vit nuk bëri ndryshim. 1.4 milionë fëmijë në Wuhan, qyteti ku e pati origjinën koronavirusi, u rikthyen në shkolla e kopshte më 1 shtator.

SHKARKO APP