10-vjeçarja shtatzënë, nëna: Shtypi e ka kthyer në biznes, vajza nuk e kupton se…
Historia e vajzës 10-vjeçare, e cila është shtatzënë por që nuk mund të abortojë, është vënë në qendër të një stuhie mediatike në Indi. BBC sjell historinë e vajzës e cila ka tronditur me rastin e rrallë të shtatzanisë.
“Ne kemi parë shumë raste të adoleshenteve shtatzëna, të moshave 14-15 vjeçare, por ky është rasti i parë që një 10-vjeçare është shtatzënë”, tha Mahavir Singh, nga Autoriteti i Shërbimeve Ligjore të Shtetit Chandigarh . 10-vjeçarja dyshohet se është përdhunuar vazhdimisht nga një i afërm. Ky i afërm ndodhet në burg, në pritje të gjykimit.
Vajza në fjalë është përshkruar si një fëmijë i lumtur që buzëqesh lehtë. Ajo është e turpshme. Gjuha angleze dhe matematika janë lëndët e preferuara dhe është nxënëse në klasën e gjashtë. Ajo pëlqen mishin e pulës, peshkun dhe sigurisht akulloren.
Më 28 korrik, Gjykata Supreme e Indisë hodhi poshtë një peticion, i paraqitur në emër të saj për ta lejuar të ndërpriste shtatzaninë. Por një panel i mjekëve këshilloi gjykatën se një ndërprerje në këtë fazë do të ishte “shumë e rrezikshme” për vajzën. Urdhri i gjykatës ishte një zhgënjim i madh për familjen e vajzës. “Ajo nuk ka idenë se çfarë ka ndodhur”,-shprehen ata.
Ligji indian nuk lejon abortin pasi shtatzania ka kaluar javën e 20, përveç nëse mjekët vërtetojnë se jeta e nënës është në rrezik. Por vitet e fundit, gjykatat kanë marrë disa peticione, nga vetë të mbijetuarat e përdhunimit, të cilat kërkojnë të ndërpresin shtatzanitë pas javës së 20. Në shumicën e rasteve, këto shtatzani zbulohen vonë, pasi fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre.
Ajo që e ka bërë situatën edhe më të rëndë është se që kur lajmet e përdhunimit dhe shtatzanisë pushtuan mediat, familjarët shqetësohen vazhdimisht nga gazetarët. “Kur babai i vajzës erdhi të më takojë, ai më tha se problemi më i madh i tij është shtypi. Ai tha se ka pasur reporterë jashtë shtëpisë së tij gjatë gjithë kohës dhe se privatësia e tij është duke u shkelur”,-u shpreh Neil Roberts, kryesues i Komitetit të Mirëqenies për Fëmijë.
Vëmendja e medias ka nënkuptuar se vajza ka të ngjarë të marrë kujdesin më të mirë mjekësor dhe se ka të drejtë të kërkojë kompensim financiar nga qeveria. Por publiciteti i padëshiruar po shkakton mjerim në familjen e vajzës. Meqenëse dhunuesi i dyshuar ishte kushëri i nënës, disa morën në pyetje nënën nëse ajo ishte në dijeni të abuzimit dhe nëse e kishte miratuar atë. “Si mund të mos e dinte që vajza e saj ishte shtatzënë për shtatë muaj?” Pyetën ata.
Kjo ka qenë shumë shqetësuese për familjen. “Unë dua që ai të ndëshkohet rëndë, duhet të marrë dënimin me vdekje ose të mbyllet për pjesën tjetër të jetës së tij në burg, ai e ka pranuar krimin”, shprehet nëna. Më tej nëna ka pyetur: “Përse po e reklamoni rastin e vajzës sime? Shtypi e ka kthyer këtë në një ndërmarrje biznesi”.
Çfarë do të ndodhë më pas?
Prindërit e vajzës shprehen se foshnja pritet të vijë në jetë në shtator dhe se mjekët kanë vendosur se do të jetë një lindje me prerje cezariane. Në rast të ndonjë ndërlikimi, lindja mund të vijë më herët. Meqenëse familja e vajzës ka thënë se nuk dëshiron të bëjë asgjë me foshnjën, i porsalinduri do të merret nga komiteti i mirëqenies së fëmijëve derisa të vendosë familja. Ekspertët pohojnë se 10-vjeçarja mund të vuajë nga traumat mendore dhe do të ketë nevojë për disa vite rrjesht për këshillim nga një psikolog fëmijësh.
Burimi: BBC/Përshtati: Redjon Shtylla/Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

