108 shtete të prekur nga koronavirusi
Koronavirusi vijon të përhapet në vende të ndryshme të botës, ndërkohë janë konfirmuar mijëra viktima dhe të infektuar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë që mbikëqyrë nga afër situatën, 108 shtete kanë raportuar raste me të infektuar me koronavirus.
Përveç Shqipërisë, 24 orët e fundit kanë raportuar të infektuar dhe vende si Bullgaria, Kosta Rika, Malta, Moldavia. Mbi 110 mijë raste regjistrohen në të gjithë globin, pjesa më e madhe e të cilëve vetëm në Kinë, ku pati dhe origjinën virusi vdekjeprurës.
Mbi 3800 persona kanë humbur jetën që prej nisjes së epidemisë, ndërsa mbi 60mijë të tjerë janë shëruar. Situatë shumë e rëndë paraqitet në Korenë e Jugut, ku numri I të infektuarve nga Covid-19 ka arritur në 7300. “Në total 7165 pacientë me Covid-19janë trajtuar në karantinë, ndërsa 166 të tjera janë shëruar dhe kanë lënë spitalin. 51 pacientë kanë humbur jetën”, tha Kim Kang-Lip, zv/ministër i shëndetësisë.
Ndërkohë, Japonia po shton masat në përpjekje për të frenuar përhapjen e Koronavirusit të rrezikshëm, ndërsa rastet me të infektuar janë rreth 500.
Gjithashtu janë edhe rreth 700 raste të tjerë në këtë shtet, të cilët po qëndrojnë në një karantinë të improvizuar në kroçerën “Diamond Princess”.
E ndërsa bota është e alarmuar për shkak të përhapjes së shpejtë të këtij virusi, Kina kërkon që t’i rikthehet normalitetit. Qytetarë të shumë janë kthyer në punë dhe rrugët po nisin të mbushen sërish.