12 viktima nga Omicron, çfarë hapash do të marrë Anglia?

Qeveria britanike po i bën presion kryeministrit britanik që të mos vendosi bllokim të përgjithshëm, ndërsa numri i të vdekurve nga varianti Omicron ka shkuar në 12. Zëvendëskryeministri Dominique Raab tha të hënën në mëngjes se plani i qeverisë për vendosjen e kufizimeve është zgjidhja më e mirë për momentin. Megjithatë, ai theksoi se nuk mund të garantojë se nuk do të ndërmerren masa të mëtejshme kufizuese.

Qeveria është në pritje të të dhënave të detajuara mbi ashpërsinë e infeksionit nga varianti i ri i koronavirusit dhe sipas Raab, për shkak të variantit të ri 104 persona ndodhen të shtruar në spital. Në të njëjtën kohë, numri i rasteve po rritet në mënyrë eksponenciale.

Ministri i Financave Risi Sunak është një nga dhjetë ministrat e qeverisë që kundërshtojnë kufizimet e reja para Krishtlindjeve, raportoi Times. Këshilltari kryesor shkencor i qeverisë britanike, Patrick Valance, u tha ministrave në fundjavë se kufizimet e reja duhet të vendosen sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar kolapsin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar Britanik (NHS), sipas të njëjtës gazetë.

Grupi Këshillues Shkencor për Menaxhimin e Emergjencave në Britani ka njoftuar se nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, 3000 ose më shumë pacientë të tjerë mund të kenë nevojë të marrin trajtim çdo ditë. Megjithatë, rreth një e treta e ministrave të qeverisë britanike kundërshtojnë kufizimet e reja dhe kanë vënë në dyshim vlefshmërinë e studimit.

Johnson është gjithashtu kundër vendosjes së më shumë kufizimeve, pasi ai beson se njerëzit po tregohen të kujdesshëm dhe po marrin doza përforcuese të vaksinës, sipas Times.

SHKARKO APP