14 ditë me mbi 30 gradë Celsius, temperatura rekord në Finlandë
Finlanda ka regjistruar për 14 ditë radhazi temperatura mbi 30 gradë Celsius, duke vendosur një rekord të ri kombëtar për motin ekstrem, njofton Instituti Meteorologjik Finlandez, sipas Helsinki Times. Rekordi i mëparshëm i vendit, prej 13 ditësh me temperatura mbi 30°C, ishte shënuar në vitin 1972.
Dita e djeshme e përforcoi rekordin, me temperaturën që arriti në 30.3°C në zonën e Parikalës. Sipas ekspertëve, kjo është vala më intensive dhe më e qëndrueshme e të nxehtit në historinë e vendit që prej vitit 1961.
Për shkak të thatësisë së tejzgjatur dhe mungesës së reshjeve, toka në pjesën më të madhe të Finlandës është bërë jashtëzakonisht e thatë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre në pyje. Autoritetet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërime për mot ekstrem dhe zjarre në shumë rajone të vendit.
Sipas parashikimeve, nxehtësia pritet të vazhdojë deri në fundjavë. Megjithatë, reshje të lokalizuara shiu mund të bien në disa pjesë të Laplandës dhe Finlandës Lindore, ndërsa deri të dielën moti i paqëndrueshëm mund të shtrihet në zona më të gjera si bregdeti perëndimor dhe rajonet qendrore të vendit.
Meteorologu Ville Siiskonen theksoi se temperaturat më të larta janë regjistruar në juglindje dhe në disa zona të Ostrobothnia Veriore.
KOHA JONË SONDAZH

