18-vjeçarja përdhunohet në grup, babai i viktimës mbron në Polici 4 të rinjtë
Babai i vajzës 18-vjeçare, e cila është përdhunuar në grup në Campobello di Mazara, në zonën e Trapanit në Itali ka reaguar pas denoncimit në Polici të së bijës. Para karabinierëve, ai u paraqit së bashku me 4 përdhunuesit e dyshuar dhe tha se vajza e tij ka qenë e dehur, ndërsa mori në mbrojtje të rinjtë e akuzuar.
“Vajza ime ju tha disa fakte të pavërteta, ajo ishte e dehur dhe për këtë arsye ajo nuk ishte në gjendje të kuptonte se çfarë po ndodhte. Këta janë djem të mirë, dëmtimet që vajza ime ka në krahë janë për shkak të miqve të saj që përpiqen ta sjellin në shtëpi, por ajo ishte e dehur dhe po rezistonte”.
Për këto deklarata të të atit të 18-vjeçares ka pasur reagime të ndryshme. Disa spekulojnë se ai është kërcënuar, por ka edhe nga ata që e shohin si një përpjekje për të mbrojtur emrin e mirë të familjes. Sidoqoftë, hetuesit vazhdojnë me hetimet.
Historia dramatike e 18-vjeçares fillon në natën e 6-7 shkurtit, kur ajo u josh nga një ftesë për festë dhe u besoi 4 të rinjve, të cilët sipas asaj që deklaroi në Polici ajo, nuk u ndalën as nga ulërimat dhe lotët e saj.
Të katër të rinjtë u arrestuan nën akuzat e sulmit seksual të rëndë në grup dhe dy nga ata ndodhen në burg dhe dy në arrest shtëpiak. Të nesërmen ajo gjeti guximin të denonconte dhe u paraqit me vëllain e saj para karabinierëve.
Ndërkohë policia vijon hetimet dhe mbledhjen e provave dhe fakteve për ngjarjen e rëndë.