19-vjeçari rrëfen skenat e tmerrit nga zjarri: Nuk do të shoh kurrë diçka më të keqe se ajo natë

Një zjarr i fuqishëm përfshiu barin “Le Constellation” në vendpushimin Crans-Montana, pak pas orës 01:30 të mëngjesit të Vitit të Ri. Tragjedia ka shkaktuar mbi 47 viktima dhe 115 të plagosur. Dëshmia e një 19-vjeçari italian, i cili ndodhej aty pranë, ka tronditur opinionin publik. I riu Gianni, student i inxhinierisë mekanike në Gjenevë, thotë se mori vesh ngjarjen nga një shoqe e tij, e cila kishte mbërritur në bar pak minuta pas shpërthimit. “Ajo dëgjoi shpërthime të forta dhe pa flakë. E kuptova menjëherë se ishte diçka shumë serioze,” rrëfen ai për gazetën L’Essentiel.

Ai arriti në vendin e ngjarjes përpara se të mbërrinin ekipet e emergjencës. Sipas tij, situata përkeqësohej minutë pas minute. “Njerëzit ishin shtrirë përtokë, të plagosur dhe të djegur,” kujton i riu, i cili ofroi ndihmën e tij duke qenë se kishte pak përvojë në mbrojtjen civile.

Për të ndihmuar të plagosurit, kalimtarët krijuan barela të improvizuara me pajisje nga lokali, ndërsa mungesa e personelit dhe pajisjeve e bëri situatën edhe më të vështirë. “Ndonjëherë na duhej t’i linim njerëzit në tokë për të shpëtuar ata që ishin ende brenda,” tregon ai, duke folur për skena kaotike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Operacionet e shpëtimit zgjatën deri në orën 05:00, në temperatura deri në –11°C. “Po kërkoja batanije në baret aty pranë,” thotë i riu, i cili shton se plagët e rënda bënë thuajse të pamundur identifikimin e viktimave. Gianni beson se ndihma e tij shpëtoi jetë, edhe pse pranon se përjetimet e asaj nate do ta shoqërojnë gjatë. Ai shprehet i zhgënjyer që nuk iu ofrua asnjë mbështetje psikologjike apo mjekësore pas ngjarjes, pavarësisht se kishte qenë i ekspozuar ndaj tymit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Jam i sigurt se kam ndihmuar njerëz. Shumë pak civilë erdhën për të ndihmuar, vetëm tre ose katër.” Edhe profesionistët, thotë ai, u tronditën. “Zjarrfikësit po qanin. Ishte më keq se një film horror. Adrenalina më mbajti gjallë gjithë natën. Ende nuk e kam kuptuar”, thotë ai, duke shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes pas incidentit. “Nuk më ofruan asnjë ndihmë apo kujdes mjekësor, edhe pse isha ekspozuar ndaj tymit. I vetmi person që më foli ishte një oficer policie i cili më kërkoi të largohesha.” Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore raportuan se situata ka qenë një nga më të rëndat e dekadave të fundit në zonë. Hetimet për shkaqet e tragjedisë vijojnë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?