2 javë nga zgjedhjet, ngushtohet diferenca Harris-Trump
Me më pak se dy javë nga dita e zgjedhjeve, sondazhet në 7 shtetet e lëkundura vazhdojnë të jenë të ngushta dhe të dy kandidatët, Donald Trump dhe Kamala Harris i kanë fokusuar atje përpjekjet në ditët e fundit.
Harris e kaloi të hënën duke vizituar Pensilvaninë, Miçiganin dhe Uiskonsinin, ndërsa Trump ndaloi në Karolinën e Veriut për një miting të madh.
Mesataret e sondazheve kombëtare tregojnë se kandidatët i ndajnë një ose 2 pikë përqindjeje në shtetet e konsideruara fushë beteje, me Harris që udhëheq në 3 nga 7 shtetet me më pak se 1 pikë përqindjeje.
Në të njëjtat kushte, Trump udhëheq në Pensilvani dhe Karolinën e Veriut, ndërsa me 2 pikë është përpara në Xhorxhia dhe Arizona.
Në tre shtetet në fjalë, udhëheqja në anketa ka ndryshuar disa herë që nga fillimi i gushtit, por Trump ka kryesuar në javët e fundit.
Një situatë e ngjashme është edhe në Nevada, ku për momentin Harris gëzon një avantazh të lehtë. Së fundmi, ajo është përpjekur të tërheqë republikanët e pavendosur, të cilëve u ka dërguar mesazhin se, “nuk jeni vetëm”.
Në tre shtetet e mbetura, Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin, Harris ka udhëhequr që prej muajit gusht, ndonjëherë me 2 ose 3 pikë, por në ditët e fundit diferenca është tkurrur ndjeshëm, me Trump që ka arritur vendin e parë në shtetin e Pensilvanisë.