22 javë protesta në Hong-Kong, vandalizohet zyra e agjencisë kineze të lajmeve, Xinhua
Mijëra qytetarë të Hong-Kongut vijojnë prej 22 javësh demonstratat për vetëqeverisje dhe për më shumë pavarësi nga Kina.
Qeveria kineze këtë javë tha se po përgatitet të ndërhyjë për të forcuar ndjenjën e atdhedashurisë së qytetarëve kundrejt Pekinit, por edhe të ndryshojë mënyrën si zgjidhen zyrtarët.
“Kërkojmë ndihmë nga vendet e tjera për të drejtat e njeriut dhe për demokraci në Hong-Kong. Protestat që organizojmë sot edhe në qytete si Nju-Jorku, Londra dhe Sidnej shërbejnë pikërisht për këto kauza,” deklaroi njëri nga protestuesit.
Protesta e banorëve për reforma politike dhe zgjedhje të lira nuk ishte autorizuar nga policia.
Turmat në zonën komerciale të qytetit u tentua të shpërndahen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Përplasjet nisën kur protestuesit me maska nisën të hidhnin objekte të forta dhe bomba molotov në drejtim të forcave speciale.
Vandalizmave në qytet nuk i shpëtoi as zyra e agjencisë shtetërore kineze të lajmeve.
Disa autorë janë arrestuar, duke e çuar në 3 mijë numrin total të tyre që nga nisja e protestave në qershor.
Qytetarët e rajonit gjysautonom kinez thonë se aksioni nuk do ndalet, dhe vijimi do të përcaktohet nga zgjedhjet lokale që mbahen këtë muaj.