43 vjet në burg për një krim që nuk e bëri kurrë, lirohet gruaja në SHBA

Një grua e cila bëri 43 vjet burg për një vrasje që nuk e kishte kryer kurrë është liruar nga burgu në SHBA, pasi dënimi ndaj saj u rrëzua. Sandra Hemme ishte 20 vjeçe kur u shpall fajtore për vrasjen me thikë të punonjëses së librarisë Patricia Jeschke, nga St Joseph, Missouri, në nëntor të 1980-s. Hemme u dënua me burgim të përjetshëm. Një rivlerësim i dosjes në ngarkim të saj, doli në përfundimin se nuk kishte pasur prova që e lidhnin atë me krimin, përveç rrëfimit që kishte dhënë në efektin e qetësuesve të shumtë në një spital psikiatrik.

Sot 64 vjeçe, ajo besohet të jetë gruaja që ka vuajtur dënimin më të gjatë të padrejtë në historinë e SHBA. Ekipi i saj ligjor nga Innocence Project u shpreh mirënjohës që Hemme u ribashkua më në fund me familjen dhe tha se do të vijojë të luftojë për të pastruar emrin e saj. Teksa nuk është më në burg, çështja ndaj saj është ende në rishikim.

Sipas asaj që shkruan BBC, vendimi i parë prej 118 faqesh i gjyqtarit Ryan Horsman për rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm u dha më 14 Qershor. Ai tha se avokatët e 64-vjeçares kishin prova të qarta për pafajësinë e saj, përfshirë prova që nuk ishin vënë në dispozicion në mbrojtjes së saj në kohën kur u dënua.

Nga rishikimi i dosjes rezultoi se policia lokale kishte injoruar provat që të çonin drejtpërdrejt tek një prej oficerëve të saj, Michael Holman, i cili përfundoi më vonë në burg për një tjetër krim dhe vdiq në 2015-n. Furgoni i Holman ishte parë në zonë ditën e vrasjes, alibia e tij nuk mund të konfirmohej dhe ai kishte përdorur kartën e kreditit të Patricia Jeschke pasi pretendoi se e kishte gjetur në plehra.

Po ashtu, në shtëpinë e Holman u gjetën një palë vëthë floriri, të cilat u identifikuan nga babai i Jeschke, si të sajat. Asnjë prej këtyre provave nuk iu bënë të ditura në atë kohë palës mbrojtëse të Hemme. Ajo u mor në pyetje disa herë nga policia, ndërkohë që ishte nën efektin e ilaçeve antipsikotike dhe të një qetësuesi të fortë, pasi u shtrua pa dëshirën e saj në spital psikiatrik. Hemme kishte marrë herë pas here trajtim psikiatrik që kur ishte 12 vjeç.

Ajo nuk ishte plotësisht e vetëdijshme për atë që po ndodhte, thuhej në dokumentet e gjykatës, mezi e mbante kokën drejtë dhe kishte dhimbje, një efekt anësor i ilaçeve. Në rishikimin e dosjes nga gjyqtari Horsman vihej në dukje se nuk kishte asnjë provë mjeko-ligjore që ta lidhte gruan me vrasjen. Ajo nuk kishte asnjë motiv dhe nuk kishte dëshmitarë që e lidhnin atë me krimin.

SHKARKO APP