​5 hapa për të shmangur prekjen nga Covid-19 në ambiente të mbyllura

Ventilimi i mirë mund të jetë thelbësor për të shmangur përhapjen e koronavirusit në këtë periudhë të vitit kur njerëzit kalojnë gjithnjë e më shumë brenda në shtëpi. Bartja e maskave, larja e plotë e duarve dhe ruajtja e distancës fizike janë armët kryesore në luftën kundër përhapjes së virusit korona. Por shkencëtarët dhe inxhinierët paralajmërojnë se duhet të mendojmë edhe për ajrin që thithim brenda, tani që nuk kalojmë më aq kohë jashtë.

1-Nëse zihet fryma, dil jashtë

Nëse hyni në dhomë dhe ajri duket i ndenjur, ka diçka që nuk shkon me ventilimin. Nuk hyn mjaft ajër i pastër, kjo rrit shanset për t’u infektuar me virusin korona. Kërkimet e fundit kanë treguar se “infeksioni ajror” mund të ndodhë në ambiente të mbyllura – përmes grimcave të vogla të virusit që lundrojnë në ajër. Sipas rregullave të vendit të punës të prezantuara në Britani të Madhe para pandemisë, të gjithë duhet të marrin dhjetë litra ajër të pastër çdo sekondë, dhe kjo është më e rëndësishme tani se kurrë më parë. Nëse duket se është mbytur në një hapësirë, thjesht kthehuni dhe dilni jashtë, thotë Havel Davis, drejtor teknik i Shoqërisë së Autorizuar të Inxhinierëve të Shërbimit të Ndërtimit.

2-Shikoni kondicionerin

Nga zyrat te dyqanet, kondicionerët janë të mirëpritur në ditët e ngrohta, por kontrolloni llojin e njësisë së brendshme. Më e thjeshtë është një kuti e ngushtë e bardhë e montuar në mure ose tavane, e njohur si një kondicioner i ndarë. Ai tërheq ajrin nga dhoma, e ftoh atë dhe pastaj e kthen përsëri. Me fjalë të tjera, e riciklon ajrin. Ky nuk është problem për një vizitë të shkurtër, por mund të paraqesë rrezik për një periudhë disa orësh. Një studim i një restoranti në Kinë fajësoi këtë lloj kondicioneri për përhapjen e virusit. Një klient ishte “para-simptomatik” – me fjalë të tjera, ishte infektuar, por nuk e kuptoi sepse nuk kishte treguar ende simptoma. Shkencëtarët supozojnë se klienti lëshoi virusin ndërsa merrte frymë dhe fliste, dhe ky u përhap nëpër dhomë duke trazuar rrymat e ajrit nga njësia e kondicionimit në mur.

3-Informohuni për “dimensionet e ajrit të pastër”

Në ndërtesat moderne ku dritaret nuk mund të hapen, si të merrni mjaft ajër të pastër? Ju mbështeteni në një sistem ventilimi që nxjerr ajër të ndenjur nga dhoma dhe e tubon atë në njësinë e trajtimit të ajrit, e cila shpesh është e vendosur në çatinë e ndërtesës. Atje, ajri i pastër mund të tërhiqet nga jashtë dhe të përzihet me ajrin e vjetër të brendshëm, përpara se të dërgohet përsëri në ndërtesë. Duke pasur parasysh rrezikun e infektimit nga virusi korona, këshilla profesionale është që të maksimizoni furnizimin me ajër të pastër. “Kur keni 100 për qind ajër të jashtëm, ose afër 100 për qind, kjo është një gjë e mirë,” tha profesor Kate Knox i Universitetit Leeds dhe kryetar i panelit mjedisor të këshilltarëve SAGE.

4-Kontrolloni për viruse në filtra

Sistemet moderne të ventilimit kanë filtra, por nuk janë perfekte. Në Shtetet e Bashkuara, studiuesit që ekzaminuan Spitalin Universitar të Oregonit për Shëndet dhe Shkencë zbuluan se filtrat mbanin virusin korona, por që një pjesë e tij arriti disi të shpërthente. Profesori Kevin Van Den Weimellenberg, i cili drejtoi këtë projekt, beson se marrja e shtupave nga filtri mund të zbulojë nëse dikush i infektuar po punon në ndërtesë. Në Korenë e Jugut, një qendër thirrjesh në katin e 11-të të një ndërtese zyre kishte një person që infektoi më shumë se 90 të tjerë. Nëse filtrat kontrollohen më shpesh, prania e virusit mund të jetë zbuluar më shpejt. Profesori Van Den Weimelberg thotë se të dhënat e filtrit mund të “na tregojnë ku të godasim dhe kur të godasim” gjatë luftës kundër infeksionit.

5-Kujdes nga rryma e ajrit

Kur flisni me ekspertë të kësaj fushe, ata do t’ju tregojnë se ajri i pastër është thelbësor. Por një specialist i modelimit të lëvizjes së ajrit thotë se nuk është aq e thjeshtë. Nick Wirth dikur ka dizajnuar makina gare për Formula 1, dhe tani këshillon supermarkete dhe kompani ushqimore se si të menaxhojnë rrjedhën e ajrit për t’i mbajtur njerëzit të sigurt. Ai shqetësohet që dikush ulur pranë një dritareje të hapur dhe rezulton të jetë ngjitës mund të transmetojë virusin te të tjerët që janë në rrugën e tij përmes erës. “Nëse e hapni dritaren, ku do të shkojë ajri? Ne nuk duam që njerëzit të jenë në rrugën e drejtpërdrejtë të asaj rrjedh ajri”, tha Wirth. “Më shumë ajër i pastër është përgjithësisht shumë më i mirë, por nëse lëviz horizontalisht dhe është plot me viruse, mund të ketë pasoja të padëshiruara”.

SHKARKO APP