50 ditët e Joe Biden si President i SHBA-së
Mbushen 50 ditë që kur Presidenti amerikan Joe Biden, erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në javët e para të mandatit të tij, Biden i dha përparësi luftës kundër pandemisë së Covid-19 dhe përqendrimi në këtë çështje dha rezultat. Drejt përmbushjes është objektivi i tij i administrimit të 100 milionë vaksinave brenda 100 ditëve të para. Biden gjithashtu ka ndërmarrë disa hapa në lidhje me çështjet e klimës dhe politikën e imigracionit.
SHBA nën administratën Biden u bashkua me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Marrëveshjen e Klimës së Parisit, ndaloi ndërtimin e murit kufitar, hoqi kufizimet e udhëtimit për njerëzit nga disa vende me shumicë myslimane dhe formoi një grup pune për të bashkuar familjet e ndara. Strategjia kombëtare e Biden për të luftuar koronavirusin bëri thirrje për krijimin e 100 qendrave të vaksinimit në të gjithë vendin deri në fund të Shkurtit. Deri më tani, administrata ka arritur të hapë rreth 20 të tilla për vaksinimin masiv.
Rihapja e shkollave, një nga premtimet kryesore parazgjedhore të Biden, rezultoi më e vështirë për t’u përmbushur. Kjo pjesërisht për shkak se vendimi u takon zyrtarëve lokalë dhe sindikatave të arsimit. Administrata Biden ende nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të reformuar gjyqësorin.
Disa nga premtimet e Biden-it do të kërkojnë veprime në Kongres, të tilla si ri-miratimi i Aktit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe rritja e taksave për korporatat. Biden premtoi se miratimi i një ligji barazie, i cili ndalon diskriminimin gjinor, orientim seksual dhe identitet gjinore, do të ishte një përparësi e 100 ditëve të para të tij. Ky ligj u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve, por jo nga Senati.