A është 25 dhjetori ditëlindja e vërtetë e Jezu Krishtit? Debati i kishës dhe rebusi i pazgjidhur i Krishtlindjes

Përgatiti: Albert Vataj

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Data e lindjes së Jezu Krishtit konsiderohet ndoshta nga dilemat e historisë së njerëzimit, më e madhja. Janë parashtruar shumë zgjidhje, kanë marrë trajtë sendërgjimi shumë varjante të së vërtetës, janë përplasur shumë hamendësime, kanë flakëruar shumë debate. Teologë dhe filozofë, studieus dhe historianë, hulumtues dhe mendimtarë të ndryshëm kanë qenë pjesë e kësaj beteje epike. Janë vite, shumë vite në mes dhe ende nuk është thënë fjala e fundit.

Fundvitin e vitit 2004, gjatë periudhës së Krishtlindjeve, në Itali u ndez një debat i zjarrtë. Disa arsimtarë përkrahnin idenë që traditat fetare të Krishtlindjeve të mos ndiqeshin fare ose të ndiqeshin sa më pak. E mbështetnin këtë ide për të respektuar nxënësit që nuk janë as katolikë dhe as protestantë, numri i të cilëve sa vjen e rritet. Megjithatë, të tjerë në fushën e arsimit dhe gjetkë kërkonin që traditat të respektoheshin dhe të ruheshin pikë për pikë. Pavarësisht nga këto polemika, cila është origjina e shumë traditave të Krishtlindjeve? Ndërsa debati po arrinte pikën më të nxehtë, gazeta e Vatikanit, L’Osservatore Romano, bëri disa komente interesante.

Në lidhje me datën e Krishtlindjeve, gazeta katolike tha: “Nga pikëpamja historike, data e vërtetë e lindjes së Jezuit fshihet nën një vel paqartësie, pasi këtë nuk e tregon me siguri as historia e Romës, as regjistrimi perandorak i popullsisë së asaj kohe dhe as kërkimet në shekujt vijues. Siç dihet, data 25 dhjetor u zgjodh nga Kisha e Romës në shekullin e katërt. Në Romën pagane, kjo datë i kushtohej perëndisë Diell. Ndonëse krishterimi tashmë ishte pranuar në Romë me anë të dekretit të Kostandinit, miti i perëndisë Diell, ishte ende i përhapur, sidomos mes ushtarëve. Festimet e mësipërme, që bëheshin në datën 25 dhjetor, ishin të rrënjosura thellë në traditat e përhapura. Nga kjo gjë, Kishës së Romës i lindi ideja që t’i jepte kësaj dite një domethënie fetare të krishterë, duke zëvendësuar perëndinë Diell me Diellin e vërtetë të Drejtësisë, Jezu Krishtin, dhe duke e zgjedhur këtë si ditën kur do të festohej lindja e tij”.

Bibla, nuk ka asnjë të dhënë se Jezusi ka lindur saktësisht më datën 24 dhjetor. Në fakt tregohet se Jezusi lindi në kohën e Cezar Augustit, në vitin e shpalljes së dekretit të regjistrimit të popullsisë dhe në vitin e pestë të sundimit të Herodit. Pastaj Bibla shpjegon se koha kur ndodhi kjo lindje jashtë kishte barinj që i ruanin delet në vathët e tyre. Pra, kështu nuk mund të krijohet bindja se kjo lindje ndodhi në dhjetor por studiuesit thonë diku në fillim të marsit, apo fundi i shtatorit.

SHKARKO APP