A është Ebrahim Raisi, shpëtimtari i regjimit Iranian?
Nga Shahriar Kia
Ebrahim Raisi u inaugurua më 5 gusht, ndërkohë që krizat shoqërore, ekonomike dhe ndërkombëtare e kanë gllabëruar të gjithë regjimin. Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, e ka përzgjedhur Raisi-n si president të ri të regjimit të tij pavarësisht regjistrit të errët të dhunimeve të të drejtave njerëzore të kryera nga Raisi. Shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore kanë bërë thirrje që ai të ndiqet penalisht për shkak të rolit të tij në masakrën e 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë. Inaugurimi i Raisi-t u bë disa ditë pas zhvillimit të dhjetëra protestave nëpër Iran. Këto protesta, të cilat nisën fillimisht në Khuzestan për shkak të mungesave të ujit, shpejt u bënë politike, me njerëzit që thërrisnin “vdekje diktatorit”.
Kush është Ebrahim Raisi, kandidat në zgjedhjet presidenciale të Iranit dhe ekzekutues në masakrën e 1988-ës
Raisi u bë president i regjimit me anë të një procesi jo-demokratik. Populli iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve të regjimit, dhe mullahët e pranuan se kishin regjistruar pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje që nga 1979.
Nga frika e reagimit të popullit ndaj inaugurimit të Raisi-t, regjimi e mbylli kryeqytetin, dhe i pozicionoi forcat e sigurisë nëpër rrugë.
Ceremonia e inaugurimit të Raisi-t tregoi gjithashtu rrugën pa krye në të cilën ndodhet regjimi. Mohammad Bagher Qalibaf, Kryetari i Parlamentit, and Gholam-Hossain Mohseni-Ejei, kreu i Gjyqësorit, në fjalën e tyre vetëm sa i përmendën krizat aktuale ekonomike dhe shoqërore, por nuk dhanë asnjë zgjidhje. Ghalibaf fajësoi “paefektshmëritë” e qeverisë së mëparshme dhe e këshilloi Raisi-n të niste “epokën e re të menaxhimit të efektshëm.” Por Ghalibaf refuzoi të thoshte se si mund të kishte Raisi një “menaxhim të efektshëm” në mesin e korrupsionit të institucionalizuar të regjimit?
Kush është Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i ri i parlamentit të regjimit iranian?
Edhe Ejei sugjeroi që Raisi duhet “të vërë nën kontroll inflacionin, ta reduktojë papunësinë dhe ta mbështesë popullin.” Si mundet një njeri si Raisi, i cili njeh vetëm “ekzekutim e burgim” sipas ish-presidentit të regjimit Hassan Rouhani, ta mbështesë popullin? Si mundet Raisi ta rrisë ekonominë iraniane ndërkohë që, gjatë ceremonisë së miratimit të tij nga Khamenei, ai e pranoi se qeveria ka një “defiçit buxhetor prej 450 trilion,” dhe se populli po shtypet nën peshën e “inflacionit prej 44% dhe likuiditetit prej 680.
Fjalimi i Raisi-t gjatë ceremonisë së inaugurimit tregoi se sa e thellë është kriza e regjimit. Ai tha paturpësisht: “Unë mbështes paqen në botë.” E megjithatë, pas kësaj deklarate, ai përsëriti mbështetjen që ka terrorizmin nëpër botë dhe se “kudo të jenë, në zemër të Europës, në Shtetet e Bashkuara, Afrikë, Jemen, Siri, apo Palestinë,” ai do t’i mbështeste grupet terroriste proksi të regjimit. Ndërkohë që popujt e rajonit vuajnë nga politikat luftënxitëse të regjimit, dhe populli iranian paguan për luftërat proksi të regjimit, Raisi pretendoi se regjimi i mullahëve “krijon siguri në rajon.”
SHBA dhe Bashkimi Europian e kanë sanksionuar Raisi-n për shkelje të të drejtave njerëzore, dhe roli i tij në masakrën e 1988-ës është i pamohueshëm. E megjithatë, ai e quajti paturpësisht veten si një “mbrojtës i të drejtave të njeriut” gjatë inaugurimit.
Fjalët e Raisi-t dhe zyrtarëve të tjerë të regjimit më 5 gusht reflektojnë rrugën pa krye ku ndodhet ai. Regjimi është në një situatë kritike dhe nuk gjen asnjë zgjidhje për kolapsin ekonomik, izolimin ndërkombëtar dhe krizën shoqërore, si dhe për shoqërinë e trazuar me protestat e saj në vazhdim e sipër. Me fjalë të tjera, Raisi nuk është shpëtimtari i regjimit, dhe presidenca e tij është gozhda e fundit në arkivolin e regjimit.
*Shahriar Kia është një analist politik dhe anëtar i MEK në Tiranë