A hoqi dorë përfundimisht Vuçiç nga BE pas rezolutës së Parlamentit Europian?
Opozita serbe beson se pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për rezolutën e Parlamentit Evropian, se Serbia jo vetëm që nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të marrë një vendim për të mbrojtur Kosovën, por se nuk do ta shqyrtojë as qëndrimin e Parlamentit Evropian, duket se regjimi definitivisht ka hequr dorë nga rruga evropiane e Serbisë.
Megjithatë, opozita pretendon se pas asaj rezolute të PE-së, JO-ja e Vuçiçit ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe njohja reciproke e Beogradit dhe Prishtinës është e vetmja përgjigje e mundshme dhe reale ndaj shantazheve që vijnë nga BE-ja.
Balsha Bozoviç, kryetar i bordit ekzekutiv të Akademisë Rajonale për Zhvillimin e Demokracisë, vlerëson për median serbe Danas se Serbia ka hequr dorë publikisht nga rruga evropiane për herë të parë që nga viti 2000.
“Në Serbi nuk ka Parlament. Serbia nuk ka institucione, nuk ka ndarje pushtetesh. Prandaj Vuçiç vendosi në vend të integrimit evropian, izolimin dhe rrugën drejt një të ardhmeje radikale të “botës serbe”, sepse kjo i sjell atij pushtet të pakufizuar, pa asnjë kontroll. Nga njëra anë, ai përçmon Perëndimin, dhe nga ana tjetër, ai admiron autokracitë e modelit lindor. Në atë admirim, ka edhe jo pak frikë nga Putini dhe Rusia. Por kjo ishte e qartë që në fillim. Gjatë gjithë këtyre dhjetë viteve, shumë besuan në të, veçanërisht një pjesë e Serbisë civile, pjesë e sektorit joqeveritar dhe pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, se ai do ta afronte Serbinë me Perëndimin. Ai u premtoi qytetarëve standard evropian të jetesës dhe atyre që e sollën me naivitet në pushtet në vitin 2012, zgjidhje për çështjen e Kosovës. Ai nuk e përmbushi premtimin ndaj askujt”, tha ai.
Bozoviç u shpreh se edhe sot pasi kanë kaluar dhjetë vjet, vazhdon të bindë disa shtetarë perëndimorë se me përpjekjet e tij për të krijuar projektin tashmë të ri “Ballkani i Hapur”, do ta zgjidhë edhe problemin që ekziston për njohjen e Kosovës.
“Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Përfundimi është se ai dëshiron të tërheqë të gjithë Ballkanin Perëndimor në zonën gri të kontinentit evropian dhe më pas ai dhe Rama, secili në botën e tij serbe dhe shqiptare, të luajnë kartën e “faktorit të stabilitetit në Evropën Juglindore në mënyrë që përmes paqes ata të blejnë qëndrimin në pushtet”, vëren Bozhoviç.
Radomir Lazovic nga “Ne davimo Beograd”, duke komentuar JO-në e Vuçiçit për sanksionet ndaj Rusisë dhe Jo për njohjen reciproke të Kosovës, vëren se ai po e shfrytëzon këtë periudhë në të cilën nuk ka parlament apo qeveri.
“Prandaj po vonohet konstituimi i Kuvendit dhe ndoshta në ditën e fundit të afatit do ta marrim qeverinë që në mënyrë të pavarur të negociojë drejtimin strategjik të vendit tonë. Besojmë se është e rëndësishme harmonizimi i politikës së jashtme me BE-në, por edhe i politikës së brendshme me standardet e BE-së në luftën kundër krimit në të cilin është përfshirë lidershipi ynë shtetëror, pastaj në lirinë e mediave, luftën kundër varfërisë. Prandaj është e rëndësishme për ne që Serbia të mos jetë e izoluar dhe e vetme në mbështetjen e agresionit rus, por pjesë e familjes evropiane. BE-ja nuk është ideale dhe kemi shumë kritika për gjendjen e BE-së, por është zgjidhja më e mirë për ne”, thekson Lazoviç.