A kanë “vdekur” lëvizjet e protestës në Rusi dhe Bjellorusi?

Nga Andrei Kolesnikov “Moscow Times”

Çfarë kanë të përbashkët midis tyre ish-guvernatori i rajonit rus Kabarovsk, Sergey Furgal dhe presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko? Sigurisht, që të dy cilësohen si njerëz me
të meta. Megjithatë, dallimi është se Furgal u votua në detyrën e tij nga njerëzit. Ndërsa Lukashenko jo.

Në të dyja rastet, njerëzit – të cilët nuk e shohin tani veten si vasalë të një autoritetit të padrejtë, por si qytetarë me të drejta – ndjenë se vullneti i tyre u shtrembërua. Kjo është arsyeja pse protestuesit në Kabarovsk dhe Bjellorusi, ndjenë një solidaritet reciprok ndaj njëri-tjetrit.

Kjo ndodhi edhe ngaqë shoqëria civile e të dyja vendeve, u përball me një goditje gjithnjë e më agresive nga regjimet autoritare, që kanë humbur çdo lloj tipari civilizues. Rusët në përgjithësi, të cilët zakonisht janë të kujdesshëm ndaj protestave të organizuara nga banorët më të kamur dhe më të arsimuar të Moskës dhe Shën Petersburgut, ndjenë një lidhje më të madhe me demonstruesit në Kabarovsk.

Në sytë e rusëve të zakonshëm – madje edhe ata që ishin të varur nga propaganda televizive e sponsorizuar nga shteti- këta ishin thjesht qytetarë si ata vetë, të cilët autoritetet i kishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. Dhe për shkak se tubimet u zhvilluan larg Moskës, pak njerëz besuan se ato ishin nxitur nga agjentët amerikanë, apo mbështetësit e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny.
Kjo gjë ngjalli një simpati edhe më të madhe ndaj këtyre protestave. Sipas Qendrës së pavarur Levada, në tetor 2020, 47 për qind e rusëve shprehën simpati për veprimet
në Kabarovsk. Por që nga ajo kohë vëmendja e publikut është zbehur, dhe mbështetja ka rënë nën 43 për qind.

Interesant është fakti që Qendra Levada zbuloi se vetëm 18 për qind e rusëve shprehën të njëjtën mbështetje për protestuesit në Bjellorusinë “vëllazërore”, ndërsa 43 për qind mbanin anën e Lukashenkos. Me sa duket, shumica e rusëve ishin ende të ndikuar nga miti se rendi, pastërtia dhe drejtësia mbretërojnë në Bjellorusi falë Lukashenko.

Rusët që e marrin shumicën e informacioneve nga televizionet e kontrolluara nga shteti, treguan edhe më pak mbështetje për protestuesit bjellorusë, ndërsa ata që informohen nga portalet në internet dhe rrjetet sociale, shprehën një mbështetje më të madhe ndaj tyre.

Pra, rusët relativisht të painformuar dhe të ushqyer nga propaganda shtetërore, vërejtën

një ndryshim të madh midis protestave në Kabarovsk dhe Bjellorusi, dhe nuk arritën që ta kuptonin se të dyja grupet kërkonin thjesht që autoritetet të respektonin vullnetin e votuesve.
Autoritetet ruse monitoruan nga afër ngjarjet në Kabarovsk. Ata e kuptuan intuitivisht se nuk mund t’i godisnin aq ashpër qytetarët e zakonshëm që dolën të protestonin në rrugë, siç bënë me “qytetarët më të sofistikuar” që nxitën protestat në Moskë.

Madje edhe kur demonstratat u shndërruan me shpejtësi në mitingje të ashpra anti-Putin, Kremlini priti me durim. Vetëm në vjeshtën e vitit 2020, autoritetet filluan të përdornin disa masa shtypëse direkte, edhe pse pa të njëjtën ashpërsi që patën ndaj protestave në kryeqytet.

Kremlini u ndje i mistifikuar nga protestat e Kabarovsk, dhe i menaxhoi ato me shumë kujdes, ashtu siç bëri me protestat e zgjatura kundër planeve të qeverisë për të ndërtuar një vend-depozitim të mbetjeve në qytetin e largët të Shies, një nismë nga e cila Moska u tërhoq në heshtje dhe pa shumë bujë, duke iu bindur kërkesës së shoqërisë civile të zonës.

Taktika e Kremlinit për të duruar protestuesit e Kabarovsk është dëshmuar e suksesshme, të paktën tani për tani. Drejtuesit e kuptojnë se asnjë protestë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Ndërkohë, ata e kanë vazhduar padinë e tyre gjyqësore kundër Furgal, edhe pse numri i protestuesve në rajonin e largët lindor vazhdon të pakësohet.

Për më tepër, opozita e Moskës e ka kthyer vëmendjen në diçka shumë më bindëse:helmimin e Alexei Navalny. Si autoritetet ruse, ashtu edhe shoqëria civile kanë ndjekur me një interes të shtuar protestat bjelloruse, duke parashikuar se e njëjta gjë mund të ndodhë këtu edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Kjo teori u testua, të paktën indirekt, kur Navalny, rivali kryesor i Putinit dhe regjimit të tij – u rikthye në Rusi në janar të këtij viti. Autoritetet bjelloruse, patën një qasje të ashpër dhe të pa kompromis ndaj protestave masive por paqësore në atë vend. Autoritetet ruse ishin po aq të pamatura në shtypjen e egër të protestave në mbështetje të Navalny.

Pas akteve të shtypjes fizike dhe arrestimeve, ata shkatërruan infrastrukturën e opozitës, dhe përdorën ligjet autoritare për të likuiduar organizatat e shumta të shoqërisë civile dhe mediat e pavarura. Po ashtu ata e vendosën nën një kontroll edhe më të rreptë se më parë procesin zgjedhor në vend.

Autoritetet ruse nuk po kopjonin thjesht sjelljen e homologëve të tyre bjellorusë:Edhe pa atë shembull frymëzues, ishte e pashmangshme një shtypje më e madhe, pasi regjimi i Putinit ka hyrë në fazën e një autoritarizmi të maturuar. Helmimi i Navalny, e përshpejtoi kalimin në këtë fazë më shtypëse.

Shembulli i Bjellorusisë ishte i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër:ai e përforcoi besimin e Kremlinit, se mund ta ruajë pushtetin vetëm përmes forcës. Koha për lojëra delikate politike dhe negociata ka përfunduar. Tani nis një epokë e re, në të cilën autoritetet angazhohen plotësisht për përdorimin e një represioni të egër dhe të pa kompromis.

Politologia Tatiana Vorozheikina i referohet situatës në Venezuelë dhe Bjellorusi si “qendrueshmëria e re e regjimeve autoritare”. Tek e fundit, sipas të gjitha ligjësive të shkencës historike dhe politike, këto regjime duhet të kishin rënë deri tani. E megjithatë, ato kanë mbijetuar.

E njëjta gjë është e vërtetë në Rusi, ku elita qeverisëse është kapur dëshpërimisht pas pushtetit – domethënë Putinit – dhe nuk do të heqë dorë vullnetarisht. Ajo është e gatshme të përdorë represionin për ta arritur këtë gjë, e sigurt se ushtria, agjencitë e inteligjencës dhe pjesa e madhe e popullsisë e punësuar nga shteti ose e varur nga shteti, do t’i qëndrojnë besnikë udhëheqësve të tyre.

Gjithsesi, lëvizja protestuese nuk do të zhduket asnjëherë. Ajo do të ekzistojë në ilegalitet, si një zjarr i nëndheshëm. Askush nuk mund ta parashikojë se ku dhe kur do të shpërthejë në sipërfaqe, ashtu sikundër askush nuk mund t’i kishte parashikuar dot protestat e mëdha në Kabarovsk dhe Bjellorusi. /abcnews.al/

SHKARKO APP